VIDEO/ Dinamo “tradhtohet” edhe nga Simoni, ndaj Teutës pëson humbjen e 6 radhazi
Dinamo bie sërish, këtë herë ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, ku u mposht me rezultatin minimal 0-1 dhe regjistroi humbjen e 6 radhazi në kampionat, teksa shpresat për mbijetesë tashmë i mban gjallë vetëm matematika.
Kryeqytetasit u shfaqën sërish e njëjta skuadër apatike, thuajse si gjithmonë gjatë vitit 2022 dhe bënë shumë pak ndaj durrsakëve, të cilët gjithashtu nuk shkëlqyen, por u shpërblyen nga fati dhe morën tri pikët.
Gardiani Simon Simoni, një nga pikat më të forta të bluve të kryeqytetit këtë sezon, “tradhtoi’ të tijtë pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, pasi shfaqi besim të tepruar në menaxhimin e një pasimi dhe nga kjo situatë përfitoi Rubin Hebaj, që i rrëmbeu topin dhe e dërgoi në rrjetë.
Nga ana tjetër, ishte pikërisht 17-vjeçari Simoni që bëri goditjen e vetme në portë për Dinamon, pikërisht në minutat shtesë, kur provoi me një roveshiatë, por nuk arriti të shijojë kënaqësinë e golit.
Me humbjen e sotme, Dinamo mbetet në kuotën e 23 pikëve, 11 pikë larg Egnatias në zonën Play Off, kur kanë mbetur edhe 18 në lojë, ndërsa Teuta ngjitet në kuotën e 36 pikëve, por mbetet e rrezikuar ende.
Dinamo-Teuta 0-1 (Hebaj 56′)
– Mbyllet sfida me shifrat 0-1 për Teutën…
92’ – Portieri Simoni shkon në zonën kundërshtare për të ndihmuar sulmin dhe provon me një roveshiatë të bukur, por pret në pozicion Pano Qirko.
89′ – Daci niset i vetëm drejt portës së Dinamos, por ndalet me faull nga Mija, që ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje me si mbrojtës i fundit dhe mbyll ndeshjen para kohe
83’ – Jazxhi pretendon për një goditje nga ana e Demirit, por VAR nuk e sheh të arsyeshme të thërrasë arbitrin kryesor.
73’ – Krosim nga krahu i Dinamos, për Reginaldon, që godet menjëherë, por nuk arrin të gjejë kuadratin e Pano Qirkos.
68’ – Ildi Gruda provon të befasojë Simonin nga distanca, por zgjatet gardiani i Dinamos dhe grushton në këndore.
56’ – Gooool. Zhbllokohet sfida në “Elbasan Arena”, me Teutën që merr kryesimin. Sulmuesi shkodran, Rubin Hebaj përfiton nga një gabim i portierit Simon Simoni dhe dërgon topin në rrjetë.
50’ – Beqja ndërmerr një inkursion në gjysmëfushën dinamovite, kalon disa kundërshtarë dhe godet nga jashtë zonës, por topi nuk i bindet dhe përfundon jashtë.

45’+1 – Zbret rrezikshëm Dinamo, që në tre momente brenda të njëjtit aksion, kërkon penallti, por arbitri Laver Alla nuk sheh si të parregullt asnjërën prej tyre. Rast vërtetë i dyshimtë, por vijon loja.
32’ – Aksion i rrezikshëm i Teutës, me Idrizin që kroson në zonë për Vilën, por goditja e tij përfundon ngjitur me shtyllën e Simonit. Pranë golit durrsakët.
24’ – Kërcënon Teuta me Emiliano Vilën, por pret portieri Simon Simoni. Ndërhyn edhe arbitri që sinjalizon pozicion jashtë loje.
– Starton sfida në “Elbasan Arena”
Trajneri italian Vanoli ka zgjedhur një rreshtim 4-3-3 për t’u përballur me bregdetarët, teksa Arapi vijon t’i besojë 4-2-3-1-shit të tij të preferuar, me shkodranin Hebaj në majë të sulmit.
Formacionet zyrtare:
Dinamo (4-3-3): Simoni; Bardhi, Imami, Mija, Maliqi; Demiri, Lilaj, Siljanovski; Ibraimi, Reginaldo, Haxhiu
Teuta (4-2-3-1): Qirko; Idrizaj, Ivanovic, Jazxhi, Kotobelli; Beqaj, Aleksi; Peposhi, E. Vila, L. Vila; Hebaj



