VIDEO/ “Dopio-pasillo” në Madrid, spektakël, gola dhe lot në Vallecano
Me titullin kampion të fituar disa javë më parë, Reali i Madridit mbylli kampionatin me një barazim pa gola ndaj Real Betis në “Santiago Bernabeu”, në një sfidë që ngjante më së shumti me një ndeshje miqësore.
Gjithçka nisi me një “dopio-pasillo”, me futbollistët e Realit që bënë tunelin dhe duartrokitën ata të Betisit për triumfin në Kupën e Spanjës dhe më pas me andaluzianët që bënë të njëjtën gjë për madrilenët fitues të titullit kampion.

Edhe 90 minutat në fushë ishin shumë të qeta, me madrilenët që e kishin më së shumti mendjen te finalja e Ligës së Kampionëve dhe andaluzianët që kishin ardhur për shëtitje në kryeqytet.
Festival golash në përballjen tjetër me Rayo Vallecano dhe Levante, sfidë e cila përfundoi me rezultatin 2-4. Edhe pse vendasit shënuan të parët me anë të Alvaro Garcia në të 18-ën, Melero dy herë dhe Marti përmbysën gjithçka që në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë ndodhi një episod për t’u veçuar, me Morales i cili shënoi golin e katërt, por sistemi VAR i prishi festën, teksa i zhvlerësoi golin për shkak se Bardhi kishte shkaktuar një penallti pak sekonda më herët.
Nga pika e bardhë nuk gaboi Sergio Guardiola, i cili ngushtoi rezultatin. Megjithatë, në fund ishte kapiteni Coke i cili luajti ndeshjen e fundit me Levanten, ai i cili shënoi golin e katërt dhe të sigurisë, ndaj skuadrës që ai është formuar si futbollist. Një fitore që i vlen vetëm për statistikë Levantes, që edicionin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë, ndërsa Rayo mbetet në mesin e tabelës. Për 90 minuta u aktivizua Ivan Balliu për skuadrën madrilene, ndërsa Enis Bardhi po ashtu e mbylli të plotë takimin për Levanten.



