Kategoria Superiore

VIDEO/ Egnatia ndal edhe Vllazninë, shkodranët i largohen kreut

Egnatia dhe Vllaznia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e fundit të javës së tetë të Abissnet Superiore, teksa ata që kaluan të parët në avantazh ishin rrogozhinasit me anë të një goditje spektakolare të Besir Isenit nga distanca. Megjithë përpjekjen e portierit Zogovic, sfera ishte e destinuar të përfundonte në rrjetë duke sjellë festën në stadium e Egnatias. Ndërkaq, goli zgjoi shkodranët të cilët me Jonuzin ishin pranë barazimit, por goditja nga mesfushori përfundoi në këndore.

Në anën tjetër, të besuarit e trajnerit Gugash Magani kishin një mundësi të artë për të dyfishuar me anë të sulmuesit Pedro Augusto, por në këtë rast Zogovic e bëri mirë detyrën. Sakaq, kur pritej që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin e vendasve, gardiani Puja shkakton 11-metërsh pasi shkel Liridon Latifin.

Në fakt, gjyqtari Bajramaj nuk e akordoi penalltinë, por më pas me ndërhyrjen e VAR ndryshoi mendim. Kështu, nga pika e bardhë, Latifi ekzekutoi saktësisht për të rivendosur baraspeshën. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, Imeri ishte i pafat me goditjen e tij që u përplas në traversë ndërsa nga ana tjetër, Kruja u ndal nga Puja. Në vazhdim, të dyja ekipet provuan ta fitonin ndeshjen, me rastin e fundit që i takoi shkodranëve me Mustedanagiç, por rezultati nuk ndryshoi dhe kështu ekipet e mbyllën në barazim 1-1. Pas këtij takimi, Vllaznia mban vendin e pestë me 10 pikë, ndërsa Egnatia një pozicion më poshtë, po me 10 pikë.

Komenti:

92′ Mustedanagiç kërcënon portën e Bruno Pujës, por sfera kalon ngjitur me shtyllën

89′ Jonuzi provon nga distanca, por portieri Puja

76′ Latifi reagon keq ndaj zëvendësimit, sulmuesi ulet në stol dhe më pas largohet drejt dhomave të zhveshjes

71′ Sërish rrogozhinasit në aksion, Pedro Augusto ka hapësirë në hyrje të zonës, por gabon tërësisht shënjestër

69′ Egnatia rikthehet në sulm, Jackson provon nga jashtë zone, por Zogovic pret në pozicion

66′ Latifi provon me kokë, topi përplaset te Ymeralilaj me sulmuesin e shkodranëve që pretendon për një prekje të topit me dorë. Por, arbitri Bajramaj vazhdon normalisht lojën

55′ Dalje e rrezikshme e Vllaznisë, Latifi fton në aksion Krujën. Por, goditja e këtij të fundit devijohet në këndore nga portieri Puja

47′ Vllaznia dhe Zogoviç shpëtojnë nga goli i dytë, goditja e Imerit përplaset në traversë

45+2′ Përfundon në baraspeshë pjesa e parë në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Vllaznisë. Ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me Isenin, ndërsa Latifi barazoi për shkodranët

45′ Goooool! Vlaznia rikthen ekuilibrat, Latifi nuk gabon nga pika e bardhë

44′ VAR i vjen në ndihmë arbitrit Bajramaj, akordohet penallti ndërhyrja e Pujës mdaj Latifit

42′ Vllaznia pretendon për penallti, portieri Puja rrëzon në zonë Liridon Latifin

35′ Da Silva tenton nga një kënd i prirët të befasojë portierin Puja, por sulmuesi i Vllaznisë gjen vetëm rrjetën e jashtme

35′ Sërish Egnatia që insiston me Çyrbjen, por Fallou largon rrezikun nga zona e shkodranëve

27′ Egnatia pranë dyfishimit të rezultatit, Pedro Augusto ndalet vetëm nga Zogovic

19′ Vllaznia pranë golit të barazimit, Jonuzi provon fluturimthi por topi devijohet dhe përfundon në këndore

15′  Gooooool! Besir Iseni tund rrjetën me nje goditje preçize nga distanca, Egnatia kalojnë në avantazh

10′ Latifi godet nga distanca, megjitha gardiani Puja është në gatishmëri

3′ Demir Imeri provon nga distanca të befasojë Zogovic, por goditja e anësorit është krejtësisht e gabuar

1′ Starton sfida në Rrogozhinë, Egnatia sfidon Vllazninë

 

Formacionet:

Egnatia (4-3-3): Puja, Ymeralilaj, Krasniqi, Krivanjeva, Allmucca, Telushi, Iseni, Jackson, Çyrbja, Imeri, Pedro

Vllaznia (4-4-2): Zogovic, Gurishta, Adili, Fallou, Hakaj, Krymi, Jonuzi, Kruja, Da Silva, Aralica, Latifi

Gjyqtarë: Kreshnik Bajramaj, Renato Malaj, Xhuljo Mani, Olti Çela

VAR: Florjan Lata, Denis Rexha

 

Shifra dhe fakte:

-2 humbjet e vetme që ka pësuar në këto 8 javë të para të kampionatit Egnatia i ka pësuar në Rrogozhinë pikërisht në javën e parë ndaj Kukësit dhe në përballjen ndaj kampionëve në fuqi të Teutës, duke treguar se impianti i ri “Arena Egnatia” ende nuk është kthyer në një fortesë për rrogozhinasit të cilët luajnë më mirë jashtë fushe.

-Përballja e fundit mes Egnatias dhe Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar daton 16 vite më parë, ndeshje që u mbyll në barazim 1-1.

-Egnatia dhe Vllaznia kanë në gjirin e tyre dy prej shënuesve më të mirë të këtij sezoni, brazilianin Pedro Augusto i cili ka realizuar 4 gola në kampionat dhe 2 në Kupë me rrogozhinasit dhe kroatin Aralica i cili numëron 3 gola në Abissnet Superiore dhe 1 në Kupën e Shqipërisë me shkodranët.

-Të dyja skuadrat pas 7 ndeshjesh kanë grumbulluar nga 9 pikë dhe në 2 ndeshjet e fundit nuk e kanë përjetuar shijen e fitores, kështu që dëshira për të marrë tre pikët në të dy kampet mund ta bëjë edhe më interesant duelin e Arena Egnatia.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency