VIDEO/ “Europën e ka kapur histerizmi kundër Rusisë, ne i kemi vëllezër”, tifozët e Crvenës kundër NATO-s
Lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë për të pushtuar territorin e këtyre të fundit dhe më pas për të vendosur aty një politikë e cila i shkon përshtat asaj të Moskës, është dënuar ashpërsisht nga pjesa më e madhe e vendeve të Botës. Sanksione të shumta të formës ekonomike janë vendosur kundër Rusisë, edhe pse presidenti Vladimir Putin duket se e ka ndarë mendjen të mos tërhiqet.
Mirëpo, në të gjithë këtë panik që ka pushtuar Europën dhe jo vetëm, ka edhe nga ata të cilët mbështesin në këtë konflikt Rusinë. Këtë kanë vendosur ta bërtasin me zë të lartë tifozët e Crvena Zvezdës sa herë iu jepet mundësia në stadium apo edhe në parket kur klubi serb luan ndeshjet e basketbollit. Koret e fundit të publikuara tregojnë me zë dhe figurë tifozët e Crvenës duke kënduar pro Rusisë dhe kundër NATO-s ndërsa theksohen fjalët se populli i tyre dhe rusët janë vëllezër.
Por, mbështetja e Rusisë në këtë luftë nuk mbetet vetëm te tifozët, por rrjedh edhe te drejtuesit e klubit të Crvena Zvezdës. Drejtori i këtyre të fundit shprehet se Europën e ka mbërthyer së fundmi një histerizëm i pakuptimtë ndaj Rusisë dhe se politika po ndërhyn më kot në botën e sportit.
Ndërkohë, një tjetër ndasi që veçon Crvena Zvezdën nga klubet e tjera europiane është edhe fakti se klubi nuk ka ndërmend të shkëpusë marrëdhëniet me sponsorin Gazprom ashtu siç ka bërë në Gjermani Schalke 04 apo në Premier League, Everton.
Të enjten e ardhshme, Crvena Zvezda do të luajë në Europa League ndaj skocezëve të Rangers, mirëpo nga UEFA ende nuk ka një vendim në lidhje me klubet që sponsorizohen nga rusët duke qenë se vetë organizata më e lartë qeveritare e futbollit ka mbyllur marrëdhëniet me Gazprom dhe ka pezulluara nga aktivitetet europiane klubet ruse.



