VIDEO/ Festë në kryeqytetin gjerman, Union Berlin në krye të renditjes
Union Berlin fitoi 2-0 përballë Wolfsburgut në kryeqytet, duke u ngjitur në krye të Bundesligës pas javës së shtatë me pesë fitore dhe dy barazime. Skuadra e zviceranit Urs Fischer realizoi dy golat e fitores në pjesën e dytë.

Jordan Siebatcheu zhbllokoi takimin në minutën e 54’. Amerikani mori një krosim nga Sheraldo Becker dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë. 13 minuta përpara fundit erdhi edhe goli i qetësisë nga ana e Becker.

Wolfsburgu bëri fare pak në këtë sfidë dhe renditet në vend të parafundit me vetëm pesë pikë. Union Berlin vazhdon të konfirmohet në krye të kampionatit gjerman me 17 pikë, dy më shumë se verdhezinjtë e Dortmundit.



