VIDEO/ Festë në Suharekë, Ballkani kampion mbyll me fitore sezonin
Ballkani ka fituar titullin e parë në histori të “BKT Superliga”, të siguruar matematikisht para pak javësh, ndërsa e ka mbyllur me fitore sezonin 2021-2022. Ekipi nga Suhareka triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Gjilanit, në një takim që “Xhebrailat” e mbyllën me një lojtar më pak.
Ndeshja u dominua e gjitha nga skuadra e Ilir Dajës, me trajnerin që mori drejtimin e Ballkanit në janar pasi u largua nga Partizani dhe ia doli që t’i ndihmonte në fitoren e kampionatit.
Golat në këtë takim u shënuan nga Dellova në minutën e 25’ dhe Krasniqi në minutën e 40’, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-0.
Ndërsa në minutën e 67’ të lojës ekipi i Dajës do të mbeste me një lojtar më pak në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq të autorit të golit të parë Dellova-s.
Në minutën 68’ Progni do të shënonte për Gjilanin nga pika e bardhë e penalltisë, megjithatë goditja u përsërit pas verifikimit në VAR dhe goditja e dytë u prit nga portieri Frashëri.
Festa për titullin e parë kampion ka nisur që në orët e para të paradites së sotme, me rrugët e Suharekës të mbushura nga tifozët e Ballkanit.



