VIDEO/ Finalizime fantastike, katër golat më të bukur të Superiores
Java e 14-të në Abissnet Superiore dhuroi përballje shumë të forta. Tirana dhe Kukësi fituan ndeshje të rëndësishme në shtëpi, ndërsa Laçi ishte ekipi i vetëm udhëtues që siguroi tre pikë.
Festoi edhe Skënderbeu pas triumfit në “finalen” e mbijetesës kundër Skënderbeut, teksa Dinamo frenoi Vllazninë në një barazim pa gola, duke dhënë sinjale “ringjallje” pas tre disfatave radhazi në kampionat.
11 gola u shënuan në javën e fundit, katër prej të cilëve ishin shumë të bukur. Ennur Totre zhbllokoi takimin Tirana-Teuta (2-1) me një gjuajte të bukur nga larg, teksa fantastik ishte edhe goli i Emiliano Mustës kundër Kukësit.
Anësori i majtë i Partizanit ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe kaloi ekipin e tij në avantazh, por Kukësi përmbysi gjithçka në pjesën e dytë, edhe falë ndihmës së Mustës.
Ky i fundit shkaktoi një autogol të çuditshëm, para se Gjelbrim Taipi të realizonte golin e fitores për ekipin verilindor (Kukësi-Partizani 2-1). Kapiteni i Kukësit kombinoi bukur me Feijaon dhe mposhti Teqjen me një goditje potente.
Gol i bukur ishte edhe ai i Jorgo Meksit në suksesin që arriti Skënderbeu kundër Kastriotit (2-1). 26-vjeçari goditi saktë nga jashtë zonës, gjeti golin e parë sezonal në kampionat dhe i dhuroi ekipit korçar 3 pikë me vlera.



