VIDEO/ Grealish i dehur, Guardiola nuk e bën dramë: Gjobë sepse nuk më ftoi!
Paparacët janë kudo, madje rolin e tyre tashmë mund ta bëjë kushdo teksa mjafton një “smartphone” dhe më pas imazhi i dikujt mund të bëhet viral në rrjetet sociale. Kjo i ka ndodhur edhe Jack Grealish, i cili kishte dalë me shokët e skuadrës, por teksa lë lokalin mund të kuptohet fare qartë se e kishte tepruar me alkoolin duke qenë se duhej ndihma e personave pranë tij që fantazisti të mbante ekuilibrin.
Sigurisht, tashmë pamjet e Grealish të dehur po qarkullojnë kudo, ndërsa është dashur që ato t’i komentojë edhe trajneri Pep Guardiola. Tekniku spanjoll nuk e ka bërë dramë gjendjen e lojtarit të tij, teksa thekson se anglezi mund të marrë një gjobë, por vetëm për faktin se ai nuk e kishte ftuar në festë.
“Jam shumë i mërzitur sepse Grealish me shokë nuk më ftuan edhe mua, herën tjetër bëjnë mirë të më lajmërojnë për një darkë. Nga pamjet nuk tregohet qartë se çfarë ndodhi, ata ishin bashkë si shokë të mirë, kishte edhe pjesëtarë të stafit. Lojtarët e dinë shumë mirë se sa rrezikojnë kur dalin mbrëmjeve sepse rrjetet sociale janë aty. Por, Grealish, Walker dhe Mahrez ishin të shkëlqyer. Megjithatë, mund të marrin një gjobë për faktin se nuk më kishin ftuar edhe mua”, u shpreh Guardiola.



