VIDEO/ Guardiola “fërkon duart”, talenti argjentinas shënon 6 gola në Copa Libertadores
Julian Alvarez është një nga të rinjtë më premtues të futbollit amerikano-latin. Jo më kot në janarin e vitit 2022, Manchester City derdhi 20 milionë euro në arkat e River Plate për ta pasur në organikën e sezonit të ardhshëm 22-vjeçarin. Talenti i sulmuesit kishte rënë në sytë e klubeve të ndryshme europiane, mirëpo “Qytetarët” patën shkathtësinë për të lëvizur të parët.
Tashmë, drejtuesit e Cityt po “fërkojnë duart”, teksa shohin që Alvarez është gati për sfidën e madhe të karrierës. Lojtari që është pjesë edhe e kombëtares së Argjentinës së drejtuar nga Lionel Scaloni, mbrëmjen e së mërkurës shënoi gjashtë gola në sfidën e Copa Libertadores që River Plate fitoi me rezultatin 8-1 përballë peruanëve të Limas.
Sulmuesi u tregua i pamëshirshëm përballë portës së kundërshtarëve dhe shfrytëzoi në maksimum rastet e paraqitura. Tre gola për pjesë ishte bilanci i Alvarez që tashmë përgatitet për aventurën me Cityn ndërkohë që entuziazmi rritet kur mendon se në radhët e The Citizens do të jetë edhe Erling Haaland, pa harruar yjet aktualë të skuadrës si Grealish, Bernardo Silva, Mahrez apo edhe Kevin De Bruyne.



