VIDEO/ I mjaftojnë dy minuta, Griezmann i dhuron fitoren Atleticos ndaj Valencias
Atletico Madrid është rikthyer te suksesi në kampionat pas disfatës ss fundit ndaj Villareal. Skuadra kryeqytetase mposhti me rezultatin 0-1 në transfertë Valencian.
Një ndeshje në të cilën të besuarit e trajnerit Diego Simeone vuajtën jo pak dhe në pjesën e parë u desh edhe ndërhyrja e VAR për të shpëtuar Atleticon teksa teknologjia anuloi golin e Musah për shkak të një faulli. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë, VAR kthehet në “aleat” për të besuarit e trajnerit Gennaro Gattuso teksa “zbut” nga karton i kuq në të verdhë ndëshkimin e Correias.
Në fraksionin e dytë, Atletico shfaqet më kërkuese, megjithatë u desh të vinte Griezmann nga stoli për të zhbllokuar rezultatin. Trajneri Simeone e aktivizoi francezin në minutën e 64-të së bashku me Lemar dhe ishte pikërisht kjo lëvizja fituese e trajnerit argjentinas, pasi dy lojtarët kombinuan në golin e bardhekuqve në minutën e 66-të.
Në fakt, Griezmann pati edhe shansin me vete pasi goditja e tij u devijua nga Soler dhe nxorri jashtë loje portierin Mamardashvili. Deri në fund, Atletico kontrolloi avantazhin dhe pas këtij suksesi ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e gjashtë. Nga ana tjetër, Valencia pëson humbjen e dytë radhazi dhe mbetet me tre pikë në vendin e 14-të.



