VIDEO/ Kaçe i rikthehet “zakonit të vjetër”, shënon supergol në Greqi
Periudha që kaloi te Partizani nuk ishte aspak e mirë për formën e Ergys Kaçes, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për mesfushorin shqiptar pas rikthimit në Greqi.
28-vjeçari ka gjetur rrugën drejt rrjetës me skuadrën e Veria-s, me të cilën u bashkua në janar, në ndeshjen e fundit të ligës së dytë greke (Super League 2 Greece), takim të cilin ekipi i Kaçes e fitoi me përmbysje me rezultatin 2-1 në shtëpi ndaj Kavala-s.
Mesfushori ishte autori i golit të parë për Veria-n, duke shënuar në minutën e 29’ dhe duke i dhënë barazimin ekipit të tij, pasi Kavala kishte kaluar në avantazh që në minutën e 8’ me Stikas, teksa rezultati i kësaj përballje u vulos në minutën e 70’ kur Marangos e çoi rezultatin në 2-1 për vendasit.
Ky ishte sezoni i parë për Veria-n në Super League 2 dhe siguroi vendin e parë në renditjen për skuadrat që konkurrojnë në Grupin A, ose në zonën e veriut, pas rivalitetit të fortë me AEL LARISSA, me ekipi e Kaçes që ka një diferencë prej tetë pikësh nga vendi i dytë, pra qëndron në krye me 75 pikë të grumbulluara në 32 javë kampionat.
Një sukses historik ky për skuadrën e formuar në vitin 2019 dhe tashmë siguron një vend në elitën e futbollit grek, por që prej muajit janar edhe me kontributin e mesfushorit shqiptar, Ergys Kaçes.
Në vijim Veria do të luajë edhe një përballje, finalen kundër kryesuesit të Grupit B, ose të zonës së jugut, Levadiako-s, me të dyja skuadrat që kalojën në elitën e futbollit grek, por që do të vendosin fituesin e trofeut të sezonit 2021-2022 të Super League 2.



