VIDEO/ Kastrioti fiton pas shtatë javësh, mposht rivalët direkt dhe shkurton diferencat në fundin e tabelës
Kastrioti ia ka dalë të marrë tre pikë shumë të rëndësishme në ndeshjen e javës së 13-të në Abissnet Superiore, teksa në stadiumin e Kamzës ka mposhtur me rezultatin minimal, Egnatian. Golin vendimtar të sfidës e shënoi Spartak Ajazi në fraksionin e dytë të sfidës, teksa realizoi me kokë pas një harkimi të Bashës. Pas këtij trepikëshi ndaj një rivali direkt për mbijetesë, krutanët ngjiten në kuotën e tetë pikëve, ndërsa mbeten të fundit në klasifikim, tre pikë më pak se rrogozhinasit dhe Skënderbeu i vendit të tetë.
Ndërkohë, sa i përket kronikës së sfidës, në pjesën e parë të dyja skuadrat nuk patën raste të pastra, teksa provoi Imeri apo Greca, ndërsa në një rast për Egnatian u shfaq edhe Jackson. Megjithatë, pa gola u mbyll 45-minutëshi i parë, ndërsa në fraksionin e dytë, ritmi ishte shumë i lartë dhe vendasit gjetën golin me anë të Spartak Ajazit.
Sulmuesi nuk fali në minutën e 61, pas një harkimi të Bashës. Sakaq, një tjetër episod i rëndësishëm ishte kur Allmuça u ndëshkua me karton të kuq, pasi koleksionoi dy të verdha. Nga ana tjetër, vendasit provuan ta mbyllnin sfidën me Ajazin që pati mundësinë më të mirë në limitet e kohës, mirëpo u ndal nga portieri Djuric, ndërsa Prodani u ndal nga shtylla. Gjithsesi, këto episode nuk ndikuan dhe në fund Kastrioti mori tre pikë të arta.
Kronika e ndeshjes:
90′ Prodani provon fluturimthi, por ndalet nga shtylla
88′ Ajazi ka mundësinë e artë për të dyfishuar, por ndalet nga portieri Djuric
80′ Egnatia mbetet me 10 vetë në fushë, Allmuça ndërhyn gabimisht ndaj Ajazit dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë duke marrë të kuqin
74′ Greca mundohet të përfitojë pas një gabimi të portierit Djuric, megjithatë vetë gardiani i rrogozhinasve shmang golin duke e devijuar sferën në këndore
70′ Shumë pranë dyfishimit të shifrave krutanët, Arbër Basha godet në limitet e zonës teksa goditja e tij përfundon ngjitur me shtyllën
69′ Shfaqet sërish Kastrioti, këtë herë është Onanuga ai i cili provon me një goditje në hyrje të zonës por gabon krejtësisht shënjestër
61 Goooool! Zhbllokohet rezultati në Kamzë, shënon Kastrioti. Ajazi tregohet i saktë me kokë dhe mposht portierin Djuric
57′ Probleme për Allmuçën, megjithatë mbrojtësi kaloi pa problem këtë moment dhe u rikthye në fushë
45′ Përfundon pjesa e parë në Kamzë, nuk ka gola në sfidën mes Kastriotit dhe Egnatias
35′ Miqtë provojnë edhe njëherë me anë të Jackson, por sulmuesi anësor nuk gjen kuadratin nga distanca
32′ Egnatia del mirë në kundërsulm, Imeri ka mundësi të shkëlqyer, por goditja e tij ndalet nga Neziri
18′ Shfaqet edhe Egnatia, një këndore e Imerit grushtohet keq nga portieri Sali i cili rrezikon, megjithatë sfera përfundon në një tjetër këndore
14′ Sërish Kastrioti në sulm, këtë herë harkimin e Bashës e devijon me kokë Greca por sulmuesi nuk gjen kuadratin
10′ Provon Kastrioti me një goditje standarte, por harkimi i Bashës nuk sjell rrezikshmëri për zonën e mbrojtur nga portieri Djuric
1′ Starton sfida në Kamzë, Kastrioti pret në një duel direkt Egnatian
Formacionet zyrtare:
Kastrioti(4-3-3): Sali, Neziri, Hussein, Karakaçi, Rami, Onanuga, Basha, Okebugwu, Greca, Prodani, Ajazi
Egnatia(4-2-3-1): Djuric, Ymeralilaj, Kacbufi, Krivanjeva, Allmuça, Iseni, Telushi, Lila, Imeri, Jackson, Valpoort
Arbitër kryesor: Juxhin Xhaja
Asistentë: Devis Korreshi, Mehmet Bega
Gjyqtar i 4-t: Laver Alla
VAR: Andi Koçi
Shifra dhe fakte:
-Në fazën e parë Egnatia arriti ta mposhte vetëm në minutat shtesë Kastriotin, me një gol të brazilianit Pedro Augusto
-Kastrioti vjen në këtë sfidë pas 5 humbjesh radhazi
-Egnatia ka grumbulluar 2 pikë në 5 ndeshjet e fundit, pikërisht falë dy barazimeve ndaj Vllaznisë dhe Dinamos



