Kategoria Superiore

Video/ Kastriotit i bën mirë pushimi, gjen fitoren e parë sezonale

Pushimi i bën shumë mirë Kastriotit, që arrin të rikuperojë të gjithë lojtarët dhe gjen fitoren e parë sezonale, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 2-0 ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e parë të javës së 5-të të Abissnet Superiores.

Pas një pjese të parë ku u ndalën nga portieri Rexhepi, krutanët shënuan dy herë me Bashën e Ramin në pjesën e dytë, duke vulosur suksesin 2-0, që ngjit Kastriotin në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Skënderbeu duhet të presë ende për fitoren e parë.

Video/ Pedro Augusto befason edhe Laçin, Vukiçeviç “në fije të perit”

Kastrioti-Skënderbeu 2-0  Basha 65′, Rami 84′

Kronika e ndeshjes:

– Mbyllet sfida në Kamëz, me Kastriotin që gjen fitoren e parë sezonale, pasi mposhti 2-0 Skënderbeun.

84’ – Goooool Kastrioti mbyll llogaritë e ndeshjes. I ardhur nga stoli, Armando Rami bën gjithçka mirë Brenda zonës dhe lëshon një goditje diagonal, me topin që përplaset në shtyllë dhe prehet në rrjetën e portës së Rexhepit.

80’ – Aksion mjaft i bukur i korçarëve me Marën, që arrin deri në kufijtë e zonës, por vonohet duke menduar nëse duhet të pasojë apo godasë dhe përfiton Mëllugja, që i heq topin pa faull.

65′ – Goooool! Zhbllokohet sfida në Kamëz. Një krosim i ardhur nga një goditje dënimi, mbeti në zonë dhe aty Arbër Basha përfitoi për ta shtyrë drejt rrjetës. Asgjë për të bërë, për portierin Rexhepi.

52’ – Kundërsulm i shpejtë i Kastriotit, me Ajazin që ul mirë një top dhe lëshon menjëherë të djathtën, por Rexhepi bëhet sërish hero për korçarët, duke grushtuar dhe ruajtur rrjetën të paprekur.

 

 – Nuk ka gol në pjesën e parë të ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu në Kamëz, me krutanët që provuan disa herë nga distanca, por gjetën të gatshëm për të reaguar portierin Rexhepi. Nuk mungoi as tensioni në fushë, në 2-3 momente, megjithatë protagonistët ia hodhën pa ndëshkim.

45’+1 – Sërish Prodani lëshon një goditje nga distanca, por edhe këtë herë është portieri Rexhepi që zgjatet dhe dërgon topin mbi kuadrat.

40’ – Greca hyn mirë drejt qendrës dhe lëshon një goditje me të majtën, por zgjatet Rexhepi dhe e dërgon sërish në këndore.

 

32’ – Ka tension në Kamëz. Arbitri vërshëllen një faull në favor të korçarëve dhe thërret një futbollist të Kastriotit për të këshilluar, por ndërkohë Mensah dhe një mbrojtës shtyhen me njëri-tjetrin, duke shtuar tensionin. Pas pak minutash, arbitri vendos rregullin dhe vijon lojën, pa ndëshkuar asnjë lojtar.

27’ – Prodani lëviz mirë drejt qendrës dhe lëshon një goditje mjaft të bukur, por has në reagimin e Rexhepit, që dërgon topin në këndore. Distanca ishte mjaft e largët, megjithatë goditja e rrezikshme.

15’ – Pranë golit të avantazhit Skënderbeu. Korçarët rikuperojnë një top në gjysmëfushën krutane dhe provojnë me Marën nga distanca, por topi shkon pak centimetra mbi traversën e portës së Salit.

 

4′ – Një ndërhyrje në krahun e djathtë shkakton protesta të shumta të krutanëve, që kërkojnë ndëshkim me karton për Jorgo Meksin, por nuk mendon kështu arbitrin.

– Nis ndeshja, me krutanët që luajnë topin e parë

Formacionet zyrtare:
Kastrioti (4-3-3): Sali; Neziri, Karakaçi, Grgiç, Prodani; Mëllugja; Onanuga, Basha; Greca, Çela, Ajazi
Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi; Zguro, Bajrami, Sadriu, Vitija, Meksi; Agnaldo Moraes, Vangjeli, Mara; Mensah, Berisha

– Dy skuadrat janë përballur 4 herë me njëra-tjetrën sezonin e kaluar, nga të cilat krutanët kanë fituar dy, kanë barazuar një dhe kanë humbur po një. Megjithatë vlen të theksohet se Kastrioti ka marrë dy fitore në Korçë, por nuk e ka mposhtur Skënderbeun në asnjë nga dy ndeshjet e zhvilluara në Kamëz. Golavarazhi i katër përballjeve të sezonit të kaluar është 5-5.

– Krutanët nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin, pasi kanë marrë vetëm një pikë në katër javë dhe pozicionohen në vendin e fundit, ndërsa trajneri Ndreu ka shfrytëzuar pauzën për të rikuperuar lojtarët e afruar vonë në merkato.

– As Skënderbeu nuk e ka gjetur ende fitoren e parë sezonale, megjithatë ka marrë tre pikë në 4 ndeshje, pasi ka humbur vetëm të parën ndaj Tiranës dhe më pas regjistron tre barazime radhazi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency