Featured

VIDEO/ Kukësi harron të fitojë, Partizani i shkakton disfatën e parë në shtëpinë e re dhe shijon Europën

Kukësi ka dalë me kokën poshtë nga impianti “Kukës Arena” teksa verilindorët u mposhtën nga Partizani me rezultatin 1-2. Kjo ishte edhe disfata e parë në shtëpinë e re, teksa ende nuk kanë fituar para publikut të tyre pasi në ndeshjen e inaugurimit nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola ndaj Laçit.

Fraksioni i pari foli i gjithi për Partizanin me të kuqtë që u shfaqën dominues ndaj Kukësit. Sinjalin e parë të besuarit e trajnerit Dritan Mehmeti e dhanë që në minutën e tretë kur Stenio Junior iu mohua goli nga traversa, ndërsa vetëm një minutë më pas, verilindorët u kundërpërgjigjen me një goditje pa shënjestër nga distanca e Pablo De Lucas.

Sakaq, vrulli i Partizanit “dërgoi” në gabim edhe Gjelbërim Taipin me Skukën që iu drejtua i vetëm portës kuksiane, kaloi edhe portierin Xhika ndërsa në fund goditja e tij nuk pati forcën e duhur dhe u ndal nga Jorgo Pëllumbi.

Gjithsesi, dominimi i të kuqve u shpërblye në minutën e 26-të kur këtë herë Stenio Junior mposhti Xhikën në një goditje me kokë pas harkimit të Carës. Sulmuesi i të kuqve pati fatin edhe të hyjë në histori si lojtari i parë që shënon gol në impiantin e ri të verilindorëve, “Kukës Arena”.

Një minutën më pas, sërish fati nuk ishte në anën e Partizanit pasi Skuka u ndal nga shtylla. Por, festa e dytë për kryeqytetasit ishte rezervuar për minutën e 40-të teksa këtë herë Skuka shërbeu në zonë për Stenio Junior dhe braziliani nuk fali por dyfishoi shifrat.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë në fraksionin e dytë, verilindorët kishin një “marsh” më shumë për të ndryshuar fatet e ndeshjes. Dhe, goli erdhi në minutën e 52-të me anë të Luka Milunovic i cili shënoi me portën e boshatisur teksa më parë nga shtylla ishte ndalur tentativa e Edi Basa.

Në të 63-tën, Feijao i rrëmben topin Markut në zonë, pason për Milunovic por në fund serbi ndalet nga Belica. Ndërkaq, Stenio Junior shpërdoron një rast flagrant teksa përfitoi pas një mosmarrëveshje të Lulajt dhe De Luca. Braziliani provoi të ndëshkonte Xhikën me një parabël, por portieri e kuptoi idenë dhe e ndali topin në kohë.

Në vazhdim, Kukësi krijoi edhe një mundësi me Bahtirin ndërsa Partizani administroi mirë minutat e mbetura. Në minutën e 91-të, Partizani mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Maguette i cili u ndëshkua nga arbitri Hamiti pas një gjesti antisportiv ndaj Lulajt ndërsa ndëshkimit nuk i shpëtoi edhe De Lucas i cili ndërhyri ashpër ndaj Carës.

Pas kësaj ndeshje verilindorët mbërrijnë në shtatë fitore radhazi pa fitore me të kuqtë që tashmë ruajnë vendin e tretë dhe fitojnë duelin direkt ndaj Kukësit ndërsa tashmë kanë edhe një distancë sigurie prej tre pikësh ndaj skuadrës së trajnerit Diego Longo në vendin e katërt, që rrezikon ta humbasë edhe atë në varësi të rezultatit të Vllaznisë. Kështu, Partizani i trajnerit Dritan Mehmeti ruan formën dhe pas fitores me Dinamon koleksionojnë triumfin e dytë radhazi.

Kronika e ndeshjes:

90+8′ Mbyllet ndeshja në Kukës Arena, Partizani mposht vendasit me rezultatin 1-2 dhe bën “pronë” vendin e tretë të klasifikimit. Kukësi pëson humbjen e parë në shtëpinë e re

90+7 Karton i kuq edhe për De Lucas, ndërhyrje e ashpër ndaj Carës

90+6′ Kukësi i afrohet barazimit, por Bahtiri gjen vetëm rrjetën e jashtme

90+1′ Partizani me 10 vetë pas një gjesti antisportiv të Maguette në dëm të Lulaj

70′ Mosmarrëveshje mes Lulajt dhe De Lucas, përfiton Stenio Junior i cili provon një goditje me parabël, por Xhika kupton idenë e brazilianit dhe e ndal

67′ Feijao i rrëmben topin Markut në zonë dhe pason për Milunovic. Sulmuesi godet, por topi devijohet në këndore nga Belica

52′ Gooooool! Kukësi shkurton diferencat, Basa ndalet fillimisht nga shtylla ndërsa më pas Milunovic e shtyu topin në rrjetë

45+4’Përfundon pjesa e parë në Kukës, vendasit e shohin veten në disavantazhin e dy golave të shënuar nga sulmuesi i Partizanit, Stenio Junior

45+4′ Skemë nga goditja e këndit, Esat Mala i shkon shumë pranë golit të tretë me topin që shkon ngjitur me shtyllën e Xhikës

40’Goooooool! Partizani dyfishon shifrat, Skuka i dhuron një asist fantastik Stenio Juniorit i cili nuk fal dhe ndëshkon sërish Xhikën

31′ Inkursion i Pëllumbit që pengohet nga Hadroj në limitet e zonës së rreptësisë, vendasit pretendojnë për penallti mirëpo arbitri Hamiti akordon faull jashtë zone

27′ Partizani pranë golit të dytë, Skuka ndalet nga shtylla

26’Gooooool! Zhbllokohet ndeshja në Kukës, Stenio Junior gjen golin pas një harkimi të Carës

20′ Tension në fushë pas një ndërhyrje të Markut ndaj Gj. Taipit. Lojtarët nisin një konflikt ndërsa gjyqtari Hamiti ndëshlon me të verdhë dy vëllezërit Taipi, Dragoshin në stol dhe Malën e Belicën nga radhët e Partizanit

 

15′ Gabim i Gj.Taipi me Skukën që rrëmben topin, kalon Xhikën por në fund goditja nuk ishte e fortë dhe Pëllumbi shpëtoi portën nga goli

4′ Kundërpërgjigjet Kukësi, De Lucas godet nga distanca por topi kalon ngjitur me portën e mbrojtur nga Alban Hoxha

 

3′ Partizani jep sinjalin e parë, të kuqtë shumë pranë golit. Stenio Junior e ndal traversa

1’Starton ndeshja në Kukës Arena, në lojë një biletë për Europën

Formacionet zyrtare:

Kukësi: Xhika, Gligorov, Lulaj, Pellumbi, Ndreca, Faijao, Gj. Taipi, de Lucas, Sh. Taipi, Milunovic, Basa.

Trajner: Diego Longo

Partizani: Hoxha, Marku, Bitri, Belica, Hadroj, Mala, Rrapaj, H. Marku, Cara, Skuka, Stenio.

Trajner: Dritan Mehmeti

Arbitër kryesor: Eldorjan Hamiti

Asistentë: Denis Rexha, Elvis Gjoka.

Arbitër i katërt: Blerim Ziri

VAR: Olsion Yzeiraj

AVAR: Rejdi Zajimi

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency