VIDEO/ Laçi kalon edhe Dinamon, i bën “presion” Tiranës! Guindo barazon Seferin
Laçi ia del edhe përballë Dinamos. Ekipi kurbinas fitoi 0-1 në “Elbasan Arena”, dhe përt momentin numëron 40 pikë, tre më pak se Tirana kryesuese, që pret Egnatian në “Air Albania” (19:45).
Saliou Guindo realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 24-t, duke i dhuruar fitoren e katërt radhazi në kampionat bardhezinjve të Mirel Josës, në formë shumë të mirë. Goli i 11-të në Superiore për sulmuesin nga Mali, duke ndarë kryesimin e renditjes së golashënuesve më të mirë me Taulant Seferin e Tiranës.
Ekipi kurbinas dominoi pjesën e parë, dhe iu afrua golit të dytë me Adeleken, Deliun, Shehun dhe Velinë, ndërsa Mihana dhe Denisson rrezikun për vendasit. Pjesa e dytë ishte më e ekuilibruar.
Skuadra e Bledar Devollit tentoi golin e barazimit, Indrit Prodani kërcënoi Mario Dajsinanin me një gjuajtje akrobatike, por Laçi menaxhoi avantazhin dhe siguroi fitoren, ndërsa Dinamo regjistroi humbjen e nëntë në kampionat.
Abissnet Superiore
java e 20-të
Dinamo-Laçi 0-1 (Guindo 24′)
Kronika e ndeshjes:
88′ Rimal Haxhiu lëviz bukur në krahun e djathtë, por Roganovic mbërrin te topi përpara Denisson. Gjuan Ibraimi nga larg, por e pasaktë goditja e kapitenit.
76′ Shansi më i mirë për Dinamon. Krosim i kapitenit Agim Ibraimi, Indrit Prodani harrohet nga mbrojtja mike, por akrobacia e anësorit të majtë prek rrjetën e jashtme.
65′ Tjetër mundësi për Laçin, por diagonalja e Serxho Ujkës përfundon jashtë.
60′ Reagon Dinamo. Chinedu rrëzohet në zonë, Viktor Velkoski largon topin. Tenton Goran Siljanovski, por largon rrezikun mbrojtja bardhezi.
58′ Laçi i rrezikshëm me dyshen Guindo-Adeleke, por 23-vjeçari nigerian nuk ia del të gjuajë drejt portës kundërshtare.
50′ Adeleke lëviz bukur në krah dhe gjen Velijan në zonë. Tenton dy herë lojtari i Laçit. Në fillim grushton Simoni, goditja e dytë e pasaktë.
43′ Dinamo pranë barazimit. Asist nga e djathta, penallti në lëvizje për Denisson, por Marko Roganovic i heq mundësinë e golit brazilianit.
41′ Kundërsulm i Laçit. Adeleke nis Guindo me një top të gjatë, i cili lë pas mbrojtësit kundërshtarë në shpejtësi, por nuk ia del të ndëshkojë për herë të dytë Simonin.
38′ Dinamo jep shkëndijën e parë. Denisson kërcënon portën e Laçit, por gjuajtja e brazilianit përfundon mbi tra.
31′ Laçi përsëri në sulm. Provojnë Bashkim Veliaj dhe Julian Shehu.
28′ Goditje dënimi për kurbinasit afër zonës së 16-të metrave. Gjuajta e kapitenit Ardit Deliu është e pasaktë.
24′ Laçi në avantazh. Simoni pret dy gjuajtjet e Julian Shehut dhe Adelekes, por dorëzohet përballë Saliou Guindo. Goli i 11-të në Superiore për sulmuesin nga Mali, po aq sa Taulant Seferi.
4′ Kros i Dinamos nga e djathta, Redon Mihana gjuan me kokë, topi mbi tra.
3′ Laçi jep sinjalin e parë. Adeleke merr një top nga krahu i djathtë, futet në zonë dhe gjuan, grushton Simon Simoni.
Pas eliminimit në Kupë, Dinamo tashmë ka të gjithë fokusin në kampionat. Synimi kryesor është të sigurojnë sa më parë pikët e nevojshme për të qëndruar në elitë. Laçi është skuadra më në formë e momentit, pasi nuk humbet prej 9 ndeshjesh, por në këtë sfidë vjen me mungesa dhe e lodhur pas angazhimit prej 120 minutave në çerekfinalen e Kupës me Egnatian, ku në fund morën kualifikimin pas penalltive. Gjithsesi, bardhezinjtë e Josës do të tentojnë maksimumin për të mos humbur terren me Tiranën kryesuese (+6).
Formacionet zyrtare
Laçi (4-3-3): Dajsinani; Roganovic, Velkovski, Malota, Turkaj; Shehu, Deliu, Ujka; Velija, Guindo, Adeleke. Trajner: Mirel Josa.
Dinamo (4-3-3): Simoni; Siljanovski, Imami, Sofranac, Prodani; Sidibe, Lilaj, Denisson; Bardhi, Reginaldo, Mihana. Trajner: Bledar Devolli.
Arbitër: Kreshnik Barjamaj. Asistent i parë: Arbër Zalla. Asistent i dytë: Xhulja Mani. VAR: Juxhin Xhaja. AVAR: Fatmir Lama.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



