VIDEO/ Laçi “me një këmbë” në finalen e Kupës, Teuta beson pas një goli në limite
Do të duhej të ishte një festë për Teutën rikthimi në shtëpi pas më shumë tetë muajsh, mirëpo nuk ka rezultuar aspak e tillë gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Durrsakët janë mposhtur me rezultatin 1-2, ndërsa pësuan nga një gol për pjesë dhe tashmë e kanë shumë të vështirë për të prekur finalen e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në vend.
Sa i takon kronikës së sfidës, Laçi e nisi në mënyrë perfekte pjesën e parë pasi gjeti rrugën e rrjetës që në minutë të gjashtë falë një goli shumë të bukur të Serxho Ujkës. Mesfushori edhe pse në një distancë të konsiderueshme nuk e mendoi dy herë, por goditi kuadratin e Qirkos, duke mposhtur këtë të fundit edhe pse portieri provoi në maksimum me zgjatjen e tij, por pa sukses.
Në vazhdim, në minutat 12 dhe 15, Teutës iu shfaqën dy mundësi të arta për të shënuar, por as Qaqi dhe as Hebaj nuk mundën ta përcillnin topin në rrjetën e Dajsinanit. Sakaq, një tjetër moment për t’u veçuar në pjesën e parë ishte edhe ai i minutës së 40-të kur arbitri akordoi penallti për Teutën pas një kontakti në zonë të Zikos dhe Hebajt.
Megjithatë, me ndërhyrjen e VAR, vendimi ndryshoi dhe durrsakëve iu mohua e drejta e goditjes nga 11-metrat. Sakaq, në fraksionin e dytë, kurbinasit gjetën mënyrën për të goditur sërish vendasit, këtë herë me sulmuesin Adeleke që shfrytëzoi një asist të Mazrekaj dhe i vetëm përballë Qirkos nuk gaboi. Në minutën e 75-të, vendasit provuan me Lorenco Vilën dhe Hykajn, megjithatë në të dyja momentet portieri Dajsinani ndali tentativën e lojtarëve vendas.
Në fund, Teuta shkurtoi diferencat me anë të Todorovskit, megjithatë nuk pati më kohë për të ndryshuar fatet e sfidës dhe Laçi tashmë e sheh veten shumë pranë finales së Kupës, ndërsa Teutës do t’i duhet të përmbushë një mision të vështirë në transfertë ndaj kurbinasve për të arritur në ndeshjen e fundit të kompeticionit pasi vetëm fitorja i bën punë.
Kronika e ndeshjes:
90+4′ Përfundon ndeshja në Niko Dovana, Teuta humbet 0-2 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë
90+3′ Gooooool! Todorovski shkurton diferencat, Teuta rihap llogaritë e kualifikimit
75′ Sërish është Teuta që rrezikon, L.Vila provon nga distanca, grushton Dajsinani dhe më pas Hyka ndalet po nga portieri kurbinas. Në vazhdim, L.Vila provon të “rrëmbejë” topin, por shkakton faull
73′ Hebaj harkon në zonë, Lorenco Vila godet me kokë por portieri Dajsinani kontrollon pa problem
58′ Gooooool! Laçi shënon edhe golin e dytë me Adeleken që gjen të përgjumur mbrojtjen e Teutës pas pasimit të Mazrekaj dhe mposht pa shumë vështirësi portierin Qirko
45′ Nis pjesa e dytë në Durrës, vendasit në kërkim të golit të barazimit ndaj Laçit
40′ Moment i diskutueshëm, fillimisht akordohet penallti për Teutën pas një ndërhyrje të Zikos ndaj Hebajt. Por, VAR ndërhyn dhe më pas penalltia anulohet
15′ Aksion i rrjedhshëm i Teutës, Todorovski në fund nuk shërben në mënyrën më të mirë të mundshme për Hebajn i cili me gjithë zgjatjen e tij nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë
12′ Shans i mirë për Teutën, por Qaqi nuk tregohet i saktë brenda zonës dhe nuk gjen kuadratin e Dajsinanit
6′ Gooooool! Laçi kalon në avantazh, Ujka lëshon një silurë nga distanca duke mposhtur portierin Qirko
1′ Starton ndeshja në Niko Dovana, Teuta pret Laçin në ndeshjen e parë gjysmëfinale
Formacionet zyrtare:
Teuta: Qirko, Todorovski, Qaqi, Jazexhi, Kotobelli, Beqaj, Aleksi, Aqua, L.Vila, Hebaj, E.Vila.
Trajneri: Renato Arapi
Laçi: Dajsinani, Roganovic, Velkovski, Ignjatovic, Ziko, Shehu, Deliu, Ujka, Mazrekaj, Hatmon, Velija.
Trajneri: Mirel Josa



