Futboll

VIDEO/ Lazerat “tërbojnë” Salah para penalltisë, Egjipti denoncon Senegalin

Senegali shndërrohet në një makth për Egjiptin, pasi në harkun e dy muajve, e mposhti në finalen e Kupës së Afrikës dhe më pas e la jashtë Kupës së Botës Katar 2022, duke e mposhtur me penallti në sfidën e kthimit, mbrëmjen e djeshme.

Ndër egjiptianët që gabuan nga pika e bardhë, ishte edhe lideri i ekipit, Mohamed Salah, që i bezdisur jo pak nga lazerat e shumtë të drejtuar në fytyrën e tij, goditi keq, duke dërguar topin në tribunë.

Megjithatë menjëherë pas eliminimit, Federata Egjiptiane e Futbollit ka bërë një ankesë formale në FIFA për Senegalin, duke akuzuar se futbollistët e Egjiptit janë terrorizuar me sende të hedhura drejt tyre dhe kore raciste të vazhdueshme, sidomos ndaj Salah.

“Skuadra jonë është bërë objekt i koreve dhe pankartave raciste, të cilat kishin në vëmendje veçanërisht Mohamed Salah. Për më tepër, futbollistët tanë janë terrorizuar teksa po kryenin nxehjen para ndeshjes, pasi në drejtim të tyre kanë fluturuar gurë dhe shishe uji. Edhe kur erdhi autobusi në stadium, u sulmua, duke thyer disa xhama dhe të gjitha këto janë të dokumentuara me foto e video”, thuhet ndër të tjera në denoncimin e Egjiptit.

Vlen të theksohet se kjo ankesë nuk do të mund të anulojë pjesëmarrjen e Senegalit në Katar 2022, megjithatë egjiptianët shpresojnë të ngushëllohen me ndonjë gjobë për kundërshtarin që u ka bërë jo pak dëme në këtë fillim viti.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency