VIDEO/ Leipzig dështon në shtëpi, festojnë Eintacht Frankfurt dhe Union Berlin
Eintracht Frankfurt vazhdon serinë e rezultateve pozitive në Bundeliga, teksa Leipzig pësoi një humbje befasuese në shtëpi kundër Arminia Bielefeld. Pa fitues përfundoi përballja Hoffenheim-M’Gladbach, ndërsa Union Berlin mori 3 pikë fantastike në fushën e Bochum.

Eintrachti mposhti 1-0 Mainz falë golit të Jesper Lindstrom (35’), me sulmuesin danez që nuk gaboi me portën bosh. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e vendasve, që janë ngjitur në vend të pestë dhe ndodhen një pikë larg zonës Champions.

Domenico Tedesco përjetoi disfatën e parë si trajner i Leizpig. Nënkampionët e Gjermanisë humbën 0-2 me Arminia Bielefeld, që realizoi golat e fitores në pjesën e dytë. Janni Serra zhbllokoi takimin në minutën e 57-të, teksa miqtë mbetën me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Fabian Klos (70’).
Vendasit nuk përfituan nga superioriteti numerik dhe Arminia gjeti golin e dytë pesë minuta më vonë me anë të japonezit Masaya Okugawa. Fitore e rëndësishme për ekipin mik, që po lufton për të qëndruar në elitën e futbollit gjerman.
Në barazim 1-1 u mbyll sfida Hoffenheim-M’Gladbach. Breel Embolo kaloi skuadrën mike në avantazh në pjesën e parë (35’), por Hoffenheim ia doli të gjejë golin e barazimit në minutat shtesë.
Kevin Akpoguma dërgoi topin në rrjetë dhe evitoi humbjen e ekipit të tij, që renditet në vend të katërt. Dueli Greuther Furth-Augsburg nuk prodhoi asnjë gol, ndërsa Union Berlin fitoi 0-1 në Bochum, me Max Kruse (16’) që riktheu ekipin kryeqytetas te fitorja në transfertë pas më shumë se dy muajsh.



