VIDEO/ Leverkusen shumë i fortë për Leipzig, fitore drithëruese e Eintracht Frankfurt
Bayer Leverkusen fitoi supersfidën me Leipzig në javën e 13-të të Bundesligës, teksa Eintracht Frankfurt vijoi formën fantastike në kampionat edhe përballë Union Berlin. “Aspirinat” morën tre pikët pas suksesit 1-3 në fushën e nënkampionëve të Gjermanisë, sfidë që e zgjidhën që në pjesën e parë.
Moussa Diaby gjeti golin për miqtë në minutën e tetë, por VAR-i e anuloi. Bayer vazhdoi të sulmonte dhe kaloi në avantazh falë golit të talentit Florian Wirtz (21’). Goli i pestë sezonal për 18-vjeçarin, i cili numëron edhe gjashtë asiste të dhuruara për shokët e skuadrës.
Miqtë gjetën edhe golin e dytë në minutën e 34-t. Diaby dërgoi sërish topin në rrjetë, këtë herë goli ishte i rregullt dhe francezi nisi festën me shokët e ekipit.
Andre Silva rihapi ndeshjen në fillimin e pjesës së dytë (48’), duke ndezur shpresat e Leipzig për barazim, por Jeremie Frimpong (64’) realizoi golin e tretë për Leverkusen. Vendasit kishin shansin të shënonin një tjetër gol në këtë përballje, por Dominik Szoboszlai dështoi nga pika e bardhë dy minuta përpara fundit.
Fitorja e sotme i dhuroi vendin e tretë në renditje Leverkusenit, që numëron 7 pikë më pak se Bayerni kryesues, ndërsa Leipzig regjistroi humbjen e pestë dhe mban vendin e tetë.
Eintracht Frankfurt mposhti 2-1 Union Berlin, duke marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Djibril Sow zhbllokoi takimin në mesin e pjesës së parë, duke kaluar vendasit në avantazh.
Max Kruse riktheu baraspeshën në minutën e 64-t, por Eintrachti gjeti golin e fitores në minutën e pestë shtesë të ndeshjes me anë të francezit Obite Evan N’Dicka.




