VIDEO/ “Magji” e Eintracht, festë gjermane në “Camp Nou”! Super Zaniolo, Roma e papërmbajtshme
Tjetër gol në “Camp Nou”, dhe është sërish Eintracht Frankfurt që ndëshkon Barcelonën. Rafael Borre dhuroi spektakël në minutën e 36-t, duke realizuar një gol të mrekullueshëm.
Sulmuesi kolumbian “shpiku” një goditje perfekte, që u ndal në trekëndëshin e portës katalanase. 0-2 për skuadrën gjermane, teksa djemve të Xavit u duhen dy gola për të dërguar në shtesa takimin e kthimit çerekfinal të Europa League.
Roma nuk mund të gabojë pafundësisht përballë Bodo/Glimt. Verdhekuqtë kanë regjistruar dy humbje dhe një barazim përballë kampionëve të Norvegjisë këtë sezon në Conference League.
Në “Olimpico” po luhet takimi i kthimit çerekfinal në Conference League dhe Romës i ka mjaftuar gjysmë ore lojë për të shënuar tre gola. Tammy Abraham zhbllokoi takimin në minutën e gjashtë, ndërsa më pak skenën e mori Nicolo Zaniolo.
Lojtari italian realizoi dy gola brenda gjashtë minuta. 22-vjeçari finalizoi një aksion fantastik të Romës në minutën e 23-të, teksa më pas konkretizoi një kundërsulm perfekt, duke ndezur festën në “Olimpico”, që sonte është “sold-out”.



