Video/ Mala vendos derbin, Partizani fiton dhe zhyt në krizë Dinamon
Partizani fiton 1-0 derbin me Dinamon dhe ngjitet në vendin e pestë në renditjen e përgjithshme. Goli i Esat Malës në minutën e 72-të fut në krizë të thellë “Nëndetësen blu”, e cila pëson humbjen e tretë radhazi në Abissnet Superiore.
Një sukses i merituar i të kuqve, që shfaqën më shumë dëshirë në fushën e blertë, duke dominuar edhe me raste, ku vlen të përmendet një mundësi e pastër e humbur me kokë nga Tedi Cara në pjesën e dytë, ndërsa për Dinamon ishin të pamjaftueshme tentativat e Agim Ibraimit, që në një rast u ndal mbi vijën fatale nga Belica.
Partizani-Dinamo 1-0 Mala 72′ (Air Albania)
Kronika e ndeshjes:
90′ + 5 – Mbyllet sfida në “Air Albania”, me fitoren minimale 1-0 të Partizanit dhe Dinamon që regjistron humbjen e tretë radhazi.
90′ – Akordohen 5 minuta shtesë
86’ – Stenio Junior shënon golin e dytë, por ndërhyn VAR-i dhe e anulon për një pozicion jashtë loje të Malës në nisje të aksionit…
84’ – Gjata shërbehet mirë në zonë, por injoron Mihanën dhe gjuan vetë me të majtën, duke dërguar topin jashtë kuadratit. Tjetër mundësi e shpërdoruar nga blutë.
72’ – Goooool. Esat Mala ndëshkon Dinamon. Mesfushori merr një pasim nga Cara dhe vihet i vetëm me portierin Bakaj, të cilin e mposht me një goditje të saktë, duke dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Partizanin.
67′ – Ndërpritet përreth dy minuta sfida. Shkak një banderolë me përmbajtje politike, e shpalosur nga tifozët e Dinamos…
66’ – Çfarë shpërdoron Tedi Cara. Një krosim në zonë gjen sulmuesin shumë pranë vijës fatale, por goditja e tij me kokë, përfundon mbi kuadrat.
64’ – Chinedu rikuperon një top në gjysmëfushën e Partizanit dhe lëshon një goditje të bukur nga distanca, por grushton mjaft mirë Teqja në këndore.
58’ – Kërcënon sërish Ibraimi, por këtë herë gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.
52’ – Aksion mjaft i mirë i Dinamos, që “flirton” me golin, por gjuajtja e kapitenit Ibraimi largohet mbi vijën fatale nga ana e Egzon Belicës. Shpëton për mrekulli Partizani.
47’ – Nis menjëherë me ritëm edhe pjesa e dytë, teksa Partizani provon me një silurë të Herald Markut, por goditja është qendrore dhe grushtohet nga Edvan Bakaj.
45′ + 1 – Mbyllet pa gola pjesa e parë e derbit Partizani-Dinamo, me të dy skuadrat që dhuruan një ndeshje me ritëm të lartë e me raste, por portierët Teqja e veçanërisht Edvan Bakaj, u shfaqën në formë fantastike.
42’ – Rrapaj hedh një krosim mjaft të bukur në zonë, aty ku Cara koordinohet keq dhe shpërdoron një rast të artë goli…
35′ – Cara provon me një goditje nga distanca, por topi shkon mbi kuadratin e portës së Bakajt.
34’ – Është radha e Teqjas tani që të bëjë shpëtimtarin te Partizani. Pas një skeme mes Ibraimit dhe Mihanës, ky i fundit e sheh veten i vetëm përballë portierit dhe gjuan, por topi grushtohet në këndore nga Teqja.
29’ – Krosim perfekt i Herald Markut, që gjen Junior në zonë, me brazilianin që gjuan menjëherë, por edhe këtë herë Edvan Bakaj bën mrekullinë, duke shpëtuar portën e Dinamos.
28’ – Provon sërish Rrapaj nga distanca, por këtë herë është Edvan Bakaj që grushton topin.
12’ – Agim Ibraimi provon me një goditje dënimi, por topi përfundon jashtë portës së mbrojtur nga Teqja…
10 ‘ -Lojtarët e Dinamos humbin një top në gjysmëfushë dhe është Rrapaj që provon me goditje nga distanca, por topi shkon larg kuadratit të portës së mbrojtur nga Bakaj.
9’ – Stenio Junior jep shkëndijën e parë. Ekzekuton saktë një goditje dënimi, por topi shkon në rrjetën e jashtme, duke krijuar iluzionin e një goli. Mbetet 0-0…
– Starton sfida në “Air Albania”…
Formacionet zyrtare:
Partizani: Teqja, Marku, Belica, Sembene, Musta, Kaçe, Marku, Rrapaj, Cara, Mala, Junior. Trajner: Ilir Daja.
Dinamo: Bakaj, Maliqi, Sofranac, Imami, Samake, Sidibe, Demiri, Skuka, Ibra, Mihana, Chinedu. Trajner: Bledi Shkëmbi.



