VIDEO/ Maroku e Kameruni “e djegin” për kualifikimin, në Lima festojnë edhe Play Off-in
Maroku ka siguruar për të dytën herë radhazi pjesëmarrjen në Kupën e Botës, teksa mbrëmjen e djeshme eliminoi Republikën Demokratike të Kongos, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-1, pas barazimit në ndeshjen e parë në transfertë.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së luajtur në Casablanca, në rrugët e qytetit, por edhe në kryeqytetin e vendit, Rabat, shpërtheu festa, pasi mijëra njerëz zaptuan rrugët në mënyrë mjaft entuziaste.
Festë pati edhe në kryeqytetin e Perusë, Lima, me vendasit që triumfuan me shifrat 2-0 ndaj Paraguajit dhe siguruan pjesëmarrjen në Play Off-in e Botërorit Katar 2022. Ndonëse bileta për në Botëror nuk është siguruar ende, peruanët festuan gjatë suksesin e përfaqësueses së tyre, duke ndezur sheshin përreth stadiumit dhe të gjithë kryeqytetin.
Entuziazmi më i madh për kualifikimin në Botëror ishte padyshim në Kamerun, pasi ekipi përfaqësues siguroi një biletë për në Katar mes drithërimash, falë golit të Togo Ekambi në sekondat e fundit të ndeshjes.
Kameruni kryesoi thuajse gjatë gjithë ndeshjes ndaj Algjerisë, por këta të fundit barazuan në minutën e 118’ dhe teksa prisnin fundin e sfidës për të festuar, u befasuan nga goli i sulmuesit të Lyonit, që u dha biletën kamerunasve.
Kaq mjaftoi që mijëra kamerunas të zbarkojnë në rrugët Yaoundes dhe qyteteve të tjera të mëdha, për të festuar një sukses drithërues, që mungonte prej 2014-ës për skuadrën afrikane.



