Featured

VIDEO/ Me një lojtar më pak, Partizani shkatërron Dinamon dhe i merr Kukësit vendin e tretë

Fitorja ndaj Dinamos i ka siguruar Partizanit vendin e tretë në renditjen e Abissnet Superiore, ndërsa “blutë” vijojnë të vuajnë dhe t’i afrohen Kategorisë së Parë gjithmonë e më shumë. Derbi i kryeqytetit, i vlefshëm për raundin e 31-të të kampionatit, u mbyll me rezultatin 3-1, me tre gola që u realizuan në pjesën e parë.

Fraksioni i parë u dominua nga “të kuqtë”, të cilët do të zhbllokonin takimin në minutën e 26’, me Stenio Junior që shënoi për Partizanin, ndërsa vetëm tre minuta më pas Tedi Cara do t’i dhuronte golin e dytë ekipit të tij.

Më pas një prekje e topit me dorë nga Massanga Matondo, lojtari i Partizanit mori kartonin e dytë të verdhë, duke dalë nga fusha e lojës dhe duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës. Për këtë episod Dinamo fitoi një penallti, e cila u ekzekutua nga kapiteni i “bluve” në minutën e 38’.

Teksa në pjesën e dytë Dinamo do të ishte më kërkues dhe do të vendoste në disa raste në vështirësi “të kuqtë”, megjithatë Partizani ia doli që të godiste sërish portën e Simonit. Në minutën e 90+1 Tedi Cara u nis në kundërsulm dhe shënoi një super gol, me topin që e goditi nga distanca.

Pas këtij takimi Partizani kalon në vend të tretë me 46 pikë, po aq sa Kukësi, por me “verilindorët” që kanë një ndeshje më pak, e cila do të luhet sonte në orën 19:45, ku përballë do të kenë Teutën. Teksa Dinamo vijon të vuajë, duke qëndruar në vend të nëntë me 23 pikë dhe njëkohësisht çdo javë e më shumë afrohet me rrëzimin nga elita e futbollit shqiptar.

Derbi Partizani-Dinamo (3-1)

Abissnet Superiore java e 31-të

90+1’-Gooool! Tedi Cara niset në kundërsulm dhe në momentin që gjendej vetëm për vetëm me Simon Simoni e gjuan topin nga distanca dhe realizon një super gol.

90’-Stenio Junior shpërdoron një mundësi të artë, duke mos e dërguar topin në portë, por shumë lart saj.

85’-Simoni rrezikon portën e e tij, portieri del për të ndalur goditjen e lojtarëve të Partizanin, por topi i shpëton nga duart dhe duhet ndërhyrja e “bluve” të tjerë, të cilët ndalën golin e tretë për “të kuqtë”.

81’-Partizani, shumë pranë golit të tretë. Tedi Cara gjuan topin nga shumë afër portës, por ndalet nga Simoni.

76’-Pas një asisti nga Ibraimi, Patrik Bardhi kërkon të gjejë rrugën drejt rrjetës nga distanca, por ndalet nga Hoxha.

70’-Ibraimi kroson topin drejt zonës, Sidibe kërkon të gjejë rrjetën me një goditje me kokë, por e dërgon topin mbi portë.

64’-Malikji afron topin në zonë, me Rimal Haxhiun që ishte shumë pranë portës së Partizanit, por nuk mundi të shënonte pasi Alban Hoxha reagoi mjaft mirë.

57’-Zëvendësime te Partizani del nga fusha e lojës Skuka dhe i lë vendin Herald Markut, po ashtu largohet Kallaku dhe vendin e tij e merr Sota.

54’-Ibraimi i afrohet portës së Alban Hoxhës duke e dërguar topin te Rimal Haxhiu, më pas ky i fundit shërben kapitenin e Dinamos, i cili kishte një mundësi të artë për të barazuar, por goditja e tij u devijua nga Belica.

51’-Reginaldo humbet super mundësi për të shënuar, pas një shërbimi nga Imami, sulmuesi godet topin me kokë, po nuk e dërgon dot në portë.

46’-Cara afrohet te porta e Simonit dhe i shërben Skukës, me këtë të fundit që ndalet nga portieri i Dinamos.

 

Nis pjesa e dytë e derbit Partizani-Dinamo në “Selman Stërmasi”

Mbyllet me rezultatin 2-1 Partizani-Dinamo, por “të kuqtë” tashmë janë me një lojtar më pak.

45’-Rimal Haxhiu niset në kundërsulm dhe kërcënon seriozisht portën e Alban Hoxhës, por gabon në momentin e fundit dhe nuk shënon dot.

44’-Agim Ibraimi realizon goditjen e dënimit për Dinamon dhe është shumë pranë golit të dytë.

40’-Ndërhyrje e gabuar ndaj Skukës, lojtari i Partizanit mbetet për disa momente i shtrirë, ndalet loja derisa lojtari ngrihet në këmbë.

38’ – Kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi shkon te pika e bardhë dhe ekzekuton saktë, duke mposhtur Alban Hoxhën dhe rihapur takimin. 2-1 për Partizanin dhe Dinamo me një lojtar më shumë.

34’-Dyshohet për prekje të topit me dorë nga Matondo, pas verifikimit në VAR arbitri jep penallti dhe karton të verdhë për lojtarin e Partizanit, i cili plotëson numrin e kartonëve dhe lë fushën e lojës.

30’-Gool! Tedi Cara dyfishon rezultatin për Partizanin, duke kaluar fare lehtë Simonin.

28’-Skuka kalon mbrojtjen e Dinamos dhe kërcënon portën e Simonit.

26’-Goool! Pas një rrëmuje në zonë, Stenio Junior ia del ta dërgojë topin në rrjetë, me Simonin që e kishte të vështirë të reagojë.

17’-Kallaku kërcënon nga distanca portën e Dinamos, por Simoni e ndal sërish.

16’-Tedi Cara tenton të gjejë golin, por ndalet nga portieri Simon Simoni.

12’-Fejzulla realizon goditjen e dënimit dhe e dërgon topin drejt portës së Alban Hoxhës, por ndalet nga portieri i Partizanit.

11’-Pas një asisti nga Junior, Rrapaj ndodhet shumë afër portës se Simonit, po nuk ia del të shënojë.

Nis ndeshja e javës së 31-të midis Partizanit dhe Dinamos.

Formacionet zyrtare:

Partizani:Hoxha, Belica, Bitri, Marku, Hadroj, Massanga, Rrapaj, Kallaku, Cara, Stenio Junior, Skuka
Trajner: Dritan Mehmeti

Dinamo: Simoni, Imami, Sidibe, Malikji, Siljanovski, Demiri, Samake, Fejzulla, Haxhiu, Ibraimi, Reginaldo
Trajner: Rodolfo Vanoli

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency