Featured

VIDEO/ Mustedanagic thyen Flamurtarin, Vllaznia me një këmbë në gjysmëfinale

Vllaznia ka hedhur një hap të rëndësishëm për në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë teksa në çerekfinalen e parë të zhvilluar në Vlorë arriti të fitonte 1-2 ndaj Flamurtarit, duke u shkaktuar të besuarve të Dritan Resulit humbjen e parë sezonale. Kuqezinjtë, pavarësisht se angazhohen në Kategorinë e Dytë kanë në përbërje emra të njohur të futbollit shqiptar si Andi Ribaj, Olsi Gocaj, Behar Ramadani, Lejdi Liçaj apo Alked Çelhaka.

Trajneri Thomas Brdariç në anën tjetër u kishte krijuar hapësirë dhe disa prej lojtarëve që kanë pasur pak hapësira në kampionat. Minutat e para ishin të qeta, me Vllazninë që kishte iniciativën më së shumti. Pa u mbushur çerek ore lojë Mustedanagiç dha shkëndijën e parë, teksa tentativa e tij nga distanca gjeti të përgatitur portierin Alimuçaj.

Katër minuta më vonë ishin sërish shkodranët që insistuan të vinin në vështirësi vendasit, por si Mustedanagiç, ashtu dhe Krymi e Latifi e patën të vështirë që të gjenin hapësirat për të goditur. Në të 24-ën reagoi Flamurtari, që pati mundësinë më të mirë për të shënuar me Ribajn, i cili nxori Dimantin të vetëm me portierin Qarri, por anësori i kuqezinjve nuk mundi ta kontrollonte siç duhej topin, duke humbur rastin më të mirë për të zhbllokuar shifrat.

Menjëherë pas këtij episodi u konfirmua rregulli i pashkruar i futbollit, nëse nuk shënon do të pësosh. Vllaznia doli përpara me një kundërsulm të shpejtë, me Latifin që shërbeu për Mustedanagiç, i cili brenda zone, me shumë qetësi e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke i dhënë avantazhin skuadrës shkodrane. Goli u dha qetësi kuqebluve, të cilët ishin më të qartë në lojën e tyre, duke rrezikuar sërish në të 33-n, megjithatë goditja e Djurdjeviç gjeti të gatshëm Alimuçajn, që e dërgoi topin në këndore.

Shtatë minuta para fundit të pjesës së parë Diamanti kërkoi që të befasonte nga distanca, por nuk pati rezultat, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën.
Pjesa e dytë kishte të njëjtën panoramë me fraksionin e parë. Vllaznia tentonte që të shënonte dhe golin e dytë e të sigurisë. Heriç surprizoi me një goditje nga distanca, duke vënë në vështirësi portierin Alimuçaj, i cili devijoi topin, që u përplas në traversë dhe për fatin e mirë të vlonjatëve shkon jashtë.

Pak sekonda më vonë kuqezinjtë u përgjigjën me Diamantin, por sërish gaboi në momentin e fundit, duke shpërdoruar një mundësi ideale. Për ‘ti dhënë qetësinë skuadrës shkodrane mendoi sërish Zinedin Mustedanagiç. Boshnjaku mori një top nga e majta dhe nga brenda zone goditi saktë, duke shënuar golin e dytë persona dhe të pestin në këtë edicion në Kupën e Shqipërisë.

Pavarësisht golit të pësuar, Flamurtari nuk u dorëzua dhe arriti që të ngushtonte diferencën në të 75-ën me brazilianin Oliveira, i cili shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Qarri. Në të 85-ën Aralica provoi me kokë që të rrezikonte, por gjeti në gatishmëri portierin e vlonjtëve. Vllaznia e menaxhoi mirë pjesën e mbetur të ndeshjes duke marrë një sukses të rëndësishëm e tashmë do të kërkojë që të menaxhojë rezultatin në ndeshjen e kthimit, për të avancuar në gjysmëfinale, ndërsa Flamurtari provon shijen e humbjes për herë të parë këtë sezon, e do të shpresojë që të bëjë surprizën në ndeshjen e kthimit që do të luhet në datën 9 shkurt.

Flamurtari – Vllaznia 1-2 (Indo Oliveira 75′ / Mustedanagic 25′, 61′)

 85′ Vllaznia pranë golit të tretë. Gjuan Aralica me kokë, pritje e bukur e Alimuçajt.

 75′ Shënon Flamurtari me anë të brazilianit Indo Oliveira, i cili dërgon në portë një top të grushtuar nga Qarri.

 61′ Kuqeblutë realizojnë golin e dytë. Sërish Zinedin Mustedanagic autori i golit, i cili tregohet si saktë brenda zonës kundërshtare.

 57′ Djurdjevic lëviz bukur, por gjuan mbi tra duke humbur një mundësi të mirë për Vllazninë.

 54′ Reagon Flamurtari. Ribaj nis Diamantin, por largon në këndore në momentin e fundit Abdurrahman Fangaj.

 53′ Gjuan Heriç nga larg, topi devijohet nga mbrojtja vendase dhe topi përplaset në traversë.

 33′ Rast i pastër për Vllazninë. Gjuan Djurdjevic, largon në këndore Alimuçaj.

 25′ Vllaznia në avantazh. Kundërsulm i shpejtë i Vllaznisë. Mustedanagic gjuan saktë pas pasimit të Latifit dhe kuqeblutë në avantazh.

 19′ – Vllaznia ushtron presion, duke tentuar të zërë në befasi vendasit, por Mustedanagiç, Krymi dhe më pas Latifi nuk ia dalin dot që të gjejnë hapësirat për të vënë në vështirësi kuqezinjtë.

 15′ Mustedanagiç provon me një goditje nga distanca, por është i sigurt portieri Alimuçaj, duke ndalur të parën goditje në kuadrat.

Flamurtari: Alimuçaj, Gocaj, Bicaj, Qarri, Licaj, Ramadani, Pjeshka, Diamanti, Oliveira, Çelhaka, Ribaj. Trajner: Dritan Resuli.

Vllaznia: Qarri, Fangaj, Gurishta, Bulatovic, Hakaj, Krymi, Heric, Çoba, Mustedanagiç, Latifi, Djurdjevic. Trajner: Thomas Brdaric.

Arbitër kryesor – Blerim Ziri (Fushë-Krujë)

Asistent i parë – Alfred Shkreta (Tiranë)

Asistent i dytë – Enea Gjoni (Elbasan)

Arbitër i katërt – Kreshnik Cjapi (Fier)

VAR – Adrian Beqiraj (Tiranë)

AVAR – Erind Burgu (Fushë-Krujë)

Quiz: Gjeni lojtarët në foto…

Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency