Video/ Nga Jonuzi te Taipi, cilët janë golat më të bukur të Superiores
Gjashtë javët e para të Abissnet Superiore kanë prodhuar emocione, spektakël e mbi të gjitha gola mjaft të bukur, duke qenë një nga elementët më të veçantë te këtij këtij fillim sezoni.
Në 30 takimet e zhvilluara deri më tani janë shënuar 80 gola, nga 10 skuadrat që garojnë në elitën e futbollit shqiptar. 10% e këtyre golave janë realizuar me 11-metërsh ose e thënë më qartë 8 nga 80, ndërsa në katër raste janë shkaktuar autogolat.
Mes 66 golave të tjerë, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë mjaft të bukur, që kanë ardhur si rrjedhojë e goditjeve standarde, tentativave nga distanca apo ekzekutimeve të skemave të mirë-menduara në stërvitje.
Realizmi i Vesel Limajt në ndeshjen me Teutën, direkt nga një goditje dënimi ishte pa dyshim një kopertinë e bukur për fatin e asaj përballje.
Në sfidën mes Vllaznisë dhe Dinamos, që prodhoi plot 9 gola, më shumë se asnjnë sfidë tjetër këtë sezon, nuk mund të mungonte një gol spektakolar, që mban firmën e Fjoart Jonuzit, i cili me një tentativë mjaft të bukur e çoi topin në fundin e rrjetës.
Me shumë gjasa Shqipërim Taipi do e mbajë mend gjatë golin e shënuar me fanellën e Kukësit, pasi realizimi i tij në takimin me Vllazninë ishte i gjithi për t’u shijuar.
Një gol i shënuar në minuta e fundit të ndeshjes ka pa diskutim shije të veçantë dhe i tillë mund të konsiderohet dhe goli i shënuar nga Roganovic, i cili finalizoi ekzekutimin e një skeme të përgatitur nga stafi teknik, që në javën e parë të kampionatit.
Braziliani i Egnatias Pedro Agusto është një nga lojtarë që ka spikatur këtë sezon dhe prezantimin e tij në futbollin shqiptar e bëri më një gol spektakolar ndaj Skënderbeut.
Kastrioti ka arritur vetëm një fitore këtë sezon në Superiore, por më shumë se fitorja vëmendje tërhoqi goli i Armando Ramit.
Me një nisje të tillë pritshmëritë rriten akoma dhe më shumë për të shijuar të tjera realizime spektakolare.



