VIDEO/ Nis me protestë e mbaron me festë, Man. United shqelmon krizën ndaj Liverpoolit
Manchester United shqelmon krizën, pasi ia del të marrë fitoren e parë sezonale dhe e bën këtë përballë rivalëve më të urryer, Liverpoolit. “Djajtë e kuq” ia dolën të triumfojnë me shifrat 2-1 në “Old Trafford”, duke merituar në fund duartrokitjet e një publiku që i mbështeti për 90 minuta.
Gjithçka nisi mes tensionit të fansave të Manchester United, që protestuan ndaj familjes Glazer për gjendjen e vështirë të klubit, ndërsa trajneri Ten Haag guxoi të lërë në stol Cristiano Ronaldon dhe kapitenin Harry Maguire.
Sfida nisi mirë për Liverpool, por “djajtë e kuq” zbrisnin shpejt në kundërsulm dhe në një të tillë goditën shtyllën me Elangën, i cili ishte i pafat përballë Alisson. Në minutën e 16’, braziliani nuk mundi të bëjë asgjë përballë gjuajtjes së Sanchos, që konkretizoi në mënyrën më të mirë një aksion të gjatë e të bukur të Manchester United.
Liverpool provoi reagimin, por Diaz gjuajti jashtë, ndërsa Manchester United kundërpërgjigjej me kundërsulme të shpejta, që vinin jo pak në vështirësi mbrojtjen e skuadrës së Klopp.
Golin e dytë për Manchester United e shënoi Rashford, që mori një asist perfekt në limitet e pozicionit jashtë loje nga Martial dhe mposhti Alisson me një gjuajtje perfekte.
Liverpool provoi të rihapë takimin, por gjeti në një De Gea fantastik dhe e dërgoi topin në rrjetë vetëm në minutën e 81-të me anë të Salah, megjithatë ky gol nuk shërbeu për të shmangur humbjen.
Manchester United merr kështu tre pikët e para për këtë sezon, pas dy humbjeve radhazi, ndërsa kriza kalon te “the reds”, që pas dy barazimeve, marrin edhe këtë humbje, ndaj për suksesin e parë, do të duhet të presin ende.
Manchester United – Liverpool 2-1 (Sancho 16′, Rashford 53’/ Salah 81′)
– Mbyllet sfida me fitoren 2-1 të Manchester United…
81’ – Goooool. Mohamed Salah rihap takimin, duke dërguar topin në rrjetë, pas një rrëmuje në zonë. Fundi bëhet emocionues në “Old Trafford”.
81′ – Super pritje nga De Gea, që ruan të paprekur portën…
76’ – Rashford dhuron spektakël, duke dribluar bukur tre kundërshtarë, por goditja përfundon pak mbi kuadratin e portës. Spektakolar numri 10 i “djajve të kuq”.
56′ – Pranë golit të tretë Rashford, por Alisson bën heroin, duke grushtuar në këndore…
55′ – Sulm i shpejtë i Liverpool, me Diaz që provon me finte, por De Gea bën një ndërhyrje vendimtare…
53’ – Goooooool. Kundërsulm perfekt i Manchester United, me Martial që asiston për Rashford dhe këtë të fundit që dërgon për herë të dytë topin në rrjetë. Pas pak sekondash pritje, VAR konfirmon golin dhe në “Old Trafford” nis festa.
– Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 1-0 për Manchester United…
41’ – Rrëmujë në zonën e Manchester United, me Bruno Fernandes që në tentativë për të larguar topin, gjuan në portën e tij, por Martinez është aty për ta shpëtuar nga një autogol qesharak.
25’ – Eriksen ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës, por “fluturon” Alisson, që e dërgon në këndore. Shpëton sërish Liverpooli.
20′ – Tjetër zbritje e shpejtë e “Djajve të kuq”, por Alexander-Arnold ndal goditjen e Rashford, duke shpëtuar portën e Liverpoolit
18′ – Reagon Liverpool me anë të Dias, por goditja shkon jashtë kuadratit
16′ – Gooooooool. Aksion mjaft i bukur i Manchester United, që mbyllet me një finalizim perfekt të Jadon Sanchos. Manchester United kalon në avantazh.
10’ – Aksion mjaft i bukur i “Djajve të kuq”, me Fernandes që nxjerr të lirë Elangën, por goditja e këtij të fundit ndalet nga shtylla. Pa fat Manchester United.
7 ‘ – Rashford i vidhet bukur mbulimit të Alexander-Arnold, por mbrojtësi e ndal me faull nga mbrapa.
– Starton sfida në “Old Trafford”
Formacionet zyrtare:

Situata e vështirë që është krijuar në klub e iniciuar edhe nga zhgënjimet në sezonet pasardhëse, ka bërë që para ndeshjes tifozët të mblidhen dhe të protestojnë kundër pronarit Glazers. Në fakt, edhe blerja më e fundit e klubit, Casemiro është i detyruar të prezantohet para se të startojë ndeshja me Liverpool në një ambient që “zien” ndërsa nga ana tjetër, kapiteni Harry Maguire do të provojë të qetësojë tifozët dhe t’i garantojë se lojtarët në fushë do të bëjnë maksimimumin për të nxjerrë nga telashet skuadrën.
Ndërkohë, në imazhet e para sfidës, tifozët kanë pritur ngrohtësisht Ronaldon, pavarësisht tentativave të portugezit për t’u larguar nga ekipi si pasojë e ecurisë së dobët. Gjithsesi, pavarësisht situatës dhe gjendjes së klubit, sërish Manchester United-Liverpool mbetet një nga ndeshjet më historike të Premier League të cilën keni mundësi ta ndiqni në SuperSport 2 duke nisur nga ora 21:00.



