VIDEO/ Një gol dhe shumë VAR, Reali fiton dhe mendon për El Clasico-n
Realit të Madridit i mjaftoi një gol i Eder Militaos në minutën e tretë për të siguruar tre pikët e radhës në La Liga. Kampionët e Spanjës triumfuan 0-1 në derbin ndaj Getafes dhe shkojnë me moral të lartë në El Clasico-n e fundjavës së ardhshme përballë Barcelonës.
Reali kishte regjistruar fitoren e fundit në këtë transfertë në janarin e vitit 2020. Qendërmbrojtësi brazilian realizoi me kokë pas vetëm 115 sekondave, duke shfrytëzuar në maksimum një krosim të Modric nga këndorja.

Vinicius Junior fitoi një penallti në minutat e fundit të fraksionit të parë, por VAR-i e anuloi pasi topi kishte dalë jashtë fushës përpara se të shkonte te braziliani. Reali realizoi edhe golin e dytë me anë të Rodrygos në minutën e 57’, por sërish VAR-i ndërhyri dhe e anuloi për pozicion të parregullt të sulmuesit.
Djemtë e Carlo Ancelottit menaxhuan avantazhin dhe arritën fitoren e shtatë në tetë javë kampionat, duke kryesuar për momentin me 22 pikë. Dueli i radhës është ai ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, përballje që do të zhvillohet në 16 tetor (16:15) dhe do të transmetohet në SuperSport.



