VIDEO/ Partizani rikthehet te suksesi dhe fut Laçin në krizë, të kuqtë shohin Europën edhe nga kampionati
Partizani e kthen në festë ndeshjen e Elbasan Arenas ndaj Laçit, me të kuqtë të cilët fituan me rezultatin 2-1. Kryqytetasit iu gëzuan golave të Bitrit dhe Skukës, ndërsa për kurbinasit nuk mjaftoi realizimi i Adeleke.
Sa i takon pjesës së parë, Partizani i bëri të qarta synimet për të marrë maksimumin menjëherë teksa në minutën e nëntë, Sherif Kallaku lëviz me klas dhe godet nga distanca. Por, goditja e mesfushorit devijohet në këndore. Por, një minutë më pas, të kuqtë festojnë golin e avantazhit pasi Valentino Murataj harkon mirë në zonë dhe aty me kokë, Eneo Bitri mposht portierin Dajsinani. Dhjetë minuta më pas, sërish kryeqtetasit pranë golit, këtë herë me Skukën i cili godet bukur, por jo më pak e bukur ishte edhe pritja e Dajsinanit.
Ndërkohë, në të 23-tën, Laçi reagoi dhe pas një kombinimi mes Mazrekajt dhe Guindos, ky i fundit godet por pret Hoxha ndërsa në vazhdimin e aksionit, Velija nuk ka shënjestrën e duhur për të gjetur kuadratin. Në fund, pjesa e parë mbyllet me një pretendim të kurbinasve për penallti pas një ndërhyrje të Belicës ndaj Roganovic. Megjithatë, arbitri Cjapi, por edhe VAR ishin në të njëjtën linjë, lojë e rregullt.
Me rezultatin 1-0 u mbyllën 45 minutat e para, ndërsa në fraksionin e dytë, kurbinasit nuk humbën kohë por barazuan shifrat në minutën e 47, falë Adeleke i cili sapo ishte aktivizuar nga trajneri Mirel Josa. Gjithsesi, reagimi i Partizanit erdhi pas 11-minutave teksa Skuka i merr kohën në zonë Velkoskit dhe penallti për të kuqtë. Nga pika e bardhë, sulmuesi nuk gabon duke dërguar topin në një krah dhe Dajsinanin në krahun tjetër.
Laçi u mundua të gjente sërish reagimin ndërsa në të 75-tën festa e tyre u anulua, pasi goli i Guindos ishte i pavlefshëm për një pozicion të parregullt të mëparshëm të Adelekes. Ndërkaq, në të 90-tën, Skuka lëviz bukur brenda zonës së kurbinasve, por në fund u ndal dhe fitoi vetëm një këndore.
Pas kësaj fitoreje, Partizani lë pas një periudhë prej tre ndeshjesh pa fitore, ndërsa shkon në kuotën e 38 pikëve teksa mban vendin e pestë në klasifikim, ndërsa nga ana tjetër Laçi është në krizë rezultatesh dhe koleksionon humbjen e dytë radhazi ndërsa mban vendin e dytë me 46 pikë.
Kronika e ndeshjes:
90+5′ Mbyllet ndeshja në Elbasan, Partizani fiton me rezultatin 2-1 përballë Laçit
90′ Skuka lëviz bukur brenda zonës së kurbinasve, por në fund u ndal dhe fitoi vetëm një këndore
75′ Ziko lëshon një silurë, reagon Hoxha me sferën që përplaset në shtyllë dhe përfundon te Adeleke. Sulmuesi humbet shansin, por Guindo shënon. Megjithatë, Adeleke ishte në pozicion të parregullt dhe goli zhvlerësohet
58′ Gooooool! Skuka merr përsipër penalltinë dhe nuk gabon, rikthen të kuqtë në avantazh
58′ Skuka i merr kohën në zonë Velkoskin, për arbitrin Cjapi nuk ka dyshime. Penallti për Partizanin
47′ Gooooool! Laçi barazon ndeshjen, Adeleke i sapo futur në fushë mposht Hoxhën dhe dërgon në festë të tijtë
45+2′ Mbyllet pjesa e parë në Elbasan Arena, Partizani në avantazh me golin e Bitrit, kurbinasit pretenduan për penallti
45+2′ Roganovic depërton në zonën e të kuqve, Belica ndërhyn ndaj anësorit, por arbitri Kreshnik Cjapi vazhdon lojën. Më pas ky episod kalon edhe në VAR, por vendimi nuk ndryshon
29′ Ujka protagonist për Laçin, mesfushori shmang me klas Matondon dhe Murataj, por goditja është e lehtë me Hoxhën që e kontrollon qetësisht
23′ Mundësi e artë për Laçin, Mazrekaj kombinon bukur me Deliun por në goditjen e Guindo, Alban Hoxha reagon saktë, ndërsa në vazhdim të aksionit, Velija gabon shënjestër
20′ Sërish kërcënojnë të kuqtë, Skuka në limitet e zonës godet me teknikë por Dajsinani është në lartësinë e duhur dhe shpëton të tijtë nga goli i dytë
10′ Gooooool! Partizani kalon në avantazh, Eneo Bitri ndëshkon me kokë portierin Dajsinani pas një harkimi të Murataj
9′ Partizani jep sinjalin e parë të sfidës, Kallaku lëviz me klas dhe godet nga distanca, por goditja e tij devijohet në këndore
1′ Starton ndeshja në Elbasan Arena, Partizani pret Laçin
Formacionet zyrtare:
Partizani (4-3-1-2): Hoxhaj; A. Marku, Bitri, Belica, Hadroj; Murataj, Matondo, Mala; Kallaku; Cara, Skuka
Laçi (4-3-3): Dajsinani; Roganovic (Adeleke), Velkoski, Ignjatovic, Ziko; Deliu, Shehu, Ujka; Mazrekaj, Velija, Guindo



