Kategoria Superiore

Video/ Pedro Augusto befason edhe Laçin, Vukiçeviç “në fije të perit”

Laçi zhgënjen sërish, këtë herë përballe Egnatias, që udhëtoi pa shumë pretendime drejt Kurbinit, por ia doli të largohet me një tjetër 3-pikësh, sërish falë heroit të rrogozhinasve, sulmuesit Brazilian Pedro Augusto, që shënoi golin e katërt në tre ndeshje.

Pas katër ndeshjes pa fitore, sot pritej autokritika e kurbinasve, që bënë një pjesë të parë mjaft të mirë, por shpërdoruan shumë dhe hasën në një formë mjaft të mirë të portierit Puja, i cili shleu gabimin e një dy javëve më parë ndaj Kastriotit.

Në pjesën e dytë ritmi i vendasve ra ndjeshëm dhe nga kjo përfituan djemtë e Maganit, që shënuan golin e fitores 15 minuta para fundit, me brazilianin Pedro Augusto, i cili bëri gjithçka mirë dhe lëshoi një të majtë perfekte për të thyer Dajsinanin.

Fitore me mjaft vlera për Egnatian, që ngjitet në kuotën e 7 pikëve dhe zhgënjim për Laçin, që ka grumbulluar vetëm dy pikë pas 5 javëve të para dhe tani trajneri Vukiçeviç rrezikon vërtetë shumë.

Laçi-Egnatia 0-1   Pedro Augusto 75′ 

Kronika e ndeshjes:

 – Përfundon ndeshja në Kurbin, Laçi zhgënjen sërish dhe pëson humbjen e tretë në 5 javë, këtë herë 0-1 përballë Egnatias debutuese në Superiore.

75′ –  Goooool Egnatia! Pedro Augusto ndëshkon Laçin. Braziliani merr një top në kufijtë e zonës dhe me të majtën e tij është fantastik, traversë dhe brenda rrjetës së Dajsinanit që nuk mund të bëjë asgjë. Goli i 4-t në 3 ndeshje për brazilianin!

73′ Goditje dënimi në pozicion të favorshëm për Laçin. E ekzekuton Mazrekaj, por shkon sipër tranversës topi i goditur nga numri 14 i kurbinasve

65′ – Egnatia avancon më shpesh përpara, krosim i Cyrbjas nga e djathta për Krivanjevan, që nuk shënjestron siç duhet goditjen e tij.

63′  – Rrezikon Egnatia. Pasim filtrues për Arbër Çyrbjan, që nga brenda zonës gjuan jashtë. Rasti më i mirë për miqtë.

61’ – Lushkja kroson në zonë, ku gjen mbrojtësin Turkaj, i cili gjuan menjëherë, por topi përfundon jashtë kuadratit.

 

 – Mbyllet në barazim pa gola pjesa e parë, me kurbinasit ndjeshëm dominues, por pa saktësinë e duhur në finalizim.

41’ – Kurbinasit rikuperojnë një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe vertikalizojnë menjëherë për Guindoi, që i vetëm me portierin gjuan menjëherë, por Puja bën mrekullinë, duke dërguar topin në këndore.

23’ – Mundësi e artë shënimi për Laçin, por Velkovski bën të pabesueshmen. Pas një skeme nga goditja e këndit, Mazrekaj lëshon një gjuajtje të bukur, që devijohet nga Velkoski, grushtohet nga Puja dhe kthehet sërish te mbrojtësi maqedonas, i cili këtë herë bën më të vështirën, duke e dërguar jashtë.

9’ – Mundësi mjaft e mirë për Guindou, që në shtyllën e dytë, nuk arrin të përfitojë për të shtyrë topin në rrjetë.

 

8’ – Kërcënimin e parë e japin vendasit, që provojnë me Mazrekajn nga goditja standard, por topi grushtohet nga portieri Puja e më pas largohet rreziku nga mbrojtja rrogozhinase.

 – Starton sfida me rrogozhinasit që nisin topin e parë

Formacionet zyrtare:
Laçi (4-3-3): Dajsinani; Veliaj, Roganovic, Velkoski, Turkaj; Shehu, Deliu, Lushkja; Zarubica, Mazrekaj, Guindo

Egnatia (4-3-3): Puja; Ymeralilaj, Kacbufi, Krasniqi, Allmuça; Iseni, Krivanjeva, Bardis; Çyrbja, Imeri, Pedro Augusto

– Kurbinasit numërojnë dy barazime dhe dy humbje në katër javët e para dhe pozicionohen në vendin e parafundit me vetëm 2 pikë, ndryshe nga Egnatia, që është ngjitur në kuotën e 4 pikëve.

– Sulmi i bardhezinjve ka bërë mirë punën e tij në këto javë të para, duke shënuar plot 6 gola, por ajo që ka çeduar, ka qenë mbrojtja, që ka nxjerrë 10 herë topin nga rrjeta e në dy raste e ka dërguar vetë aty.

– Sulmuesi brazilian Pedro Augusto është njeriu i momentit te Egnatia, pasi ka shënuar tre gola në dy ndeshjet e fundit dhe u ka dhënë 4 pikë rrogozhinasve.

– Te kurbinasit ka bërë shumë mirë sulmuesi malazez Dejan Zarubica, që mban firmën e katër nga 6 golat e shënuar prej bardhezinjve, megjithatë trajneri Vukiçeviç e pret përmirësimin pikërisht në mbrojtje.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency