VIDEO/ Perla e Brojës nuk i mjafton Southampton, Liverpool fiton në “frymën e fundit” dhe kap kreun
Goli i Armando Brojës nuk i jep fitoren Southampton, Liverpool ia del të ngjitet në krye të Premier League, teksa feston edhe Newcastle, që arriti më në fund fitoren e parë sezonale në Premier League.
“Shenjtorët” e mbyllën në barazim 1-1 derbin kundër Brighton, duke mos ia dalë të menaxhonin mirë golin fantastik të Armando Brojës në minutën e 29-të. 20-vjeçari i kombëtares kuqezi, mori një pasim nga Redmond, kreu një driblim dehës në zonë dhe dërgoi topin në rrjetën kundërshtare falë një goditje me të jashtmen.
81 minuta zgjati ndeshja shumë e mirë e Brojës, i cili është ngjitur në kuotën e 3 golave në Premier League me Southampton, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës në kampionat bashkë me skocezin Adams. Southampton pësoi një gol në minutën e 90+8’, me Neal Maupay që gjeti rrjetën dhe evitoi humbjen e Brighton.
Liverpool iu fal golit të Divock Origit në minutën e katërt shtesë, për të thyer 0-1 Wolves dhe për t’u ngjitur përkohësisht në krye të kampionatit. Pjesa e parë ishte e vakët, me Diogo Jotan që iu afrua golit për “The Reds”.
Ekipi i Klopp rrezikoi në fraksionin e dytë të sfidës me anë të Thiago Alcantara, Diogo Jota dhe Sadio Mane, teksa “Ujqit” ishin pranë golit me anë të Dendoncer, i cili u ndal nga një super Alisson.
Minutat shtesë sollën edhe golin e fitores. Sulmuesi belg ktheu në gol një asist të Momo Salah, i dhuroi Liverpoolit fitoren e katërt radhazi dhe vendin e parë në renditje me 34 pikë.
Newcastle ia doli të marrë fitoren e parë në javën e 15-të. ”Qymyrxhinjtë” mposhtën 1-0 Burnley falë golit të Callum Wilson në minutën e 40-të. Sulmuesi 29-vjeçar shfrytëzoi një dalje të pasigurt të portierit mik dhe tundi rrjetën me një gjuajtje potente.
Jay Rodriguez gjeti golin e barazimit për Burnley pesë minuta përpara fundit të ndeshjes, por lojtari mik ishte në pozicion të parregullt. Në fund festë te vendasit, të cilët ia dolën të marrin tri pikët e para sezonale.



