VIDEO/ “Poker” dhe fitorja e tetë radhazi për Manchester City, tjetër barazim për Chelsea
Fitore me “poker” e Manchester City në transfertë, ndërsa Chelsea regjistroi një tjetër barazim në Premier League. Kampionët në fuqi nuk hasën probleme përballë Newcastle, kundërshtar të cilin e mposhtën 0-4.
Ekipi i Pep Guardiolës kaloi në avantazh në minutën e katërt, me Ruben Dias që përfitoi nga nja hezitim i mbrojtjes vendase dhe realizoi me kokë. City nuk u ndal dhe dyfishoi në minutën e 27-të.
Inkursion i bukur dhe gjuajtje potente e Joao Cancelos, me topin që u ndal në trekëndëshin e portës së “Qymyrxhinjve”. Minuta e 64-t solli golin e tretë për skuadrën udhëtuese.
Aksion i Manchester City dhe finalizim i Riyad Mahrez, i cili tundi rrjetën kundërshtare falë një veprimi teknik të bukur. Në minutën e 86-të erdhi edhe rrjeta e Raheem Sterlingm, i cili shfrytëzoi një asist të Gabriel Jesus.
Fitorja e tetë radhazi në kampionat për Manchester City, që kryeson me 44 pikë. Chelsea nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në fushën e Wolves.
Sfida pati pak raste për gol, ndërkohë që vendasve iu anulua një gol në pjesën e parë, pasi Podence ishte në pozicion të parregullt. Barazimi i dytë radhazi në Premier për Chelsea, që renditet në vend të tretë me 38 pikë.



