VIDEO/ Shkëndija e pathyeshme, feston në Armeni. Rival letonez në raundin e dytë
Shkëndija kualifikohet për në raundin e dytë kualifikues të Conference League, duke barazuar përballjen e kthimit skuadrën e Ararat Yerevan, ndërkohë që kishte fituar 2-0 në Shkup duelin e parë. Në transfertën armene, kuqezinjtë ishin sërish dominues, por nuk arritën të shkonin më shumë se një barazim 2-2, edhe pse 45 minutëshin e parë e mbyllën në avantazhin e dy golave.
Tetovarët arritën që të zhbllokonin rezultatin që në minutën e dytë, teksa insistimi i Shalës e detyroi Juan Bravon që ta dërgonte në rrjetën e skuadrës së tij. Katër minuta pas golit vendasit shënuan, por anësori e anuloi golin për një pozicion të parregullt. Doriev dhe Guri ishin rrezik konstant për mbrojtjen e armenëve, ndërkohë që kapiteni Hasani ishte ai që organizonte çdo aksion, dalje apo kundërsulm.
Për golin e dytë Shkëndijës iu desh që të priste deri në shtesën e pjesës së parë. “Buba” harkoi saktë nga këndi, duke gjetur Gurin e harruar në shtyllën e dytë, i cili me kokë ndëshkoi vendasit. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë nga Tetova e ulën presionin, duke u lënë terren rivalëve që u karikuan dhe shënuan dy gola.
Katër minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Gor Malakyan shfrytëzoi një top të larguar jo mirë nga tetovarët, që solli dhe golin e parë për Ararat. Në të 79-ën ishte sërish Malakyan, ai i cili shfrytëzoi daljen jo të mirë të portierit Zahav dhe realizoi një gol të bukur, duke vendosur ekuilibrin.
Në minuta e mbetura rezultati nuk ndryshoi, me Shkëndijën që i gëzohet kualifikimit. Në raundin tjetër të Conference League, skuadra shqiptare do të përballet me letonezët e Valmieras.
ARARAT-SHKËNDIJA 2-2 (Malakyan 49′, 79′ / Bravo (aut) 2′, Guri 45+3′)
Kronika e ndeshjes:
79′ Parabolë fantastike e Malakyan, i pavëmendshëm portieri Zahov. Ararat barazon rezultatin.
78′ Ararat pranë barazimit. Zahov grushton një goditje nga e majta, Malakyan nuk përfiton dhe gjuan keq.
54′ Shkëndija e pafat. Hasani merr një pasim nga krahu i majtë, por gjuajtja e kapitenit devijohet në këndore nga një mbrojtës vendas.
49′ Vendasit e fillojnë mirë pjesën e dytë. Gjuajtja e fortë e Gor Malakyan përfundon në trekëndëshin e portës së Shkëndijës.
45+3′ Shkëndija gjen edhe golin e dytë. “Buba” kroson nga këndorja, mbrojtja mike harron Sidrit Gurin, i cili realizon një gol të bukur me kokë.
45+1′ Shans për Shkëndijën, por Shala godet lehtë, pret pa probleme portieri i Ararat.
44′ Ferhan Hasani fiton një duel në mesfushës. Arbitri kryesor vijon lojën, më pas ndryshon mendim dhe ndëshkon kapitenin e Shkëndijës me të verdhë.
43′ Mundësia e radhës për ekipin shqiptar, por gjuajtja e Bruno Ditës është qendrore dhe pritet nga portieri i Ararat.
40′ Ararat sulmon, Shkëndija kundërsulmon. Doriev rrëzohet në zonë pas një dyluftimi me Diaz, arbitri kryesor akordon faull për ekipin armen.
35′ Tjetër dalje e shpejtë e Shkëndijës. Kapiteni Hasani nis Doriev, i cili shmang bukur mbrojtësin kundërshtar, por gjuajtja e tij devijohet në këndore nga portieri Potapov.
31′ Ferhan Hasani rrëmben një top në mesfushë dhe niset drejt portës kundërshtare, por frenohet në mënyrë të parregullt nga Hayk Ishkhanyan. Vetëm karton i verdhë për mbrojtësin e Araratit.
25′ Mundësi e shkëlqyer për Shkëndijën për të realizuar golin e dytë, por gjuajtja e Ljupche Doriev është e pasaktë.
20′ Vendasit pranë barazimit. Glisic fiton duelin ajror me mbrojtjen e Shkëndijës pas një krosi të ardhur nga e djathta, topi ndalet në shtyllë.
16′ Kundërsulm i shpejtë i Shkëndijës. Ljupche Doriev pason për Sidrit Gurin, sulmuesi shkodran kthen topin në zonë, eviton rrezikun argjentinasi Diaz.
6′ Ararat gjen golin e barazimit me anë të Aleksandar Glisic, por arbitri anësor e anulon për pozicion të parregullt të sulmuesit boshnjak.
2′ Shkëndija në avantazh. Adenis Shala niset bukur në krahun e djathtë pas një pasimi nga Sidrit Guri dhe hedh një top në zonën. Mbrojtësi kolumbian i Ararat, Juan Bravo e devijon në portën e tij. 0-1 për kuqezinjtë nga Tetova.
Fillon dueli Ararat-Shkëndija. Tifozët e ekipit armen shpalosin një koreografi motivuese për ekipin e zemrës, aty ku lexohet: “Fitoni ose vdisni”.
Formacionet zyrtare
Ararat: Potapov, Bravo, Ishkhanyan, Mkayan, Legbo, Diaz, G. Malakyan, Arakelyan, Manayan, E. Malakyan, Glisic. Trajner: Aram Voskanyan.
Shkëndija e Tetovës: Zahov, M. Neziri, Cake, Bejtullai, Murati, Dita, Ramadani, Hasani, Shala, Doriev, Guri. Trajner: Artim Shaqiri.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



