Video/ Shkon gjithçka keq, Shqipëria sheh makthe në “Wembley”
Një pjesë e parë katastrofike bëri që kombëtarja shqiptare të rikthehej shumë vite përpara dhe të pësonte një humbje vërtetë të thellë, 5-0 në transfertën ndaj Anglisë. Një atmosferë e jashtëzakonshme në “Wembley”, ku të paktën 1/3-a e tifozëve ishin ata kuqezi, megjithatë gjërat në fushë nuk shkuan aspak mirë.
Fillimisht ishte Keidi Bare që “u dorëzua” për shkak të një dëmtimi, ndërsa më pas Maguire shënoi golin e avantazhit për anglezët, pas një gabimi në vendosje të kuqezinjve në goditje standarde.
Makthi nuk kishte fund, pasi në të 15-ën Myrtu Uzuni shpërdoroi një “dhuratë” të anglezëve për të rikthyer baraspeshën, ndërsa dy minuta më vonë Marash Kumbulla la fushën e lojës i dëmtuar, për t’u zëvendësuar nga Dermaku.
Nga ky moment gjithçka shkoi keq e më keq, me kuqezinjtë që nxorën topin plot 5 herë nga rrjeta deri në fundin e pjesës së parë dhe po të mos ishte për mëshirën e “tre luanëve” në 45-minutëshin e dytë, mbrëmja mund të kishte përmasa edhe më dramatike.
Gjithsesi tani nuk ka kohë për të qarë, pasi tri ditë më vonë në “Air Albania” vjen Andorra, në ndeshjen e fundit eliminatore, që duhet fituar patjetër për ta mbyllur edicionin në vendin e tretë, që ishte edhe objektivi primar i kuqezinjve.
Angli-Shqipëri 5:0 Maguire 9′, Kane 18′, 34′, 45’+1, Henderson 28′ (Wembley dhe Supersport 2)
Kronika e ndeshjes:
90’+2 – Vjen vërshëllima finale. Shqipëria mposhtet me rezultatin e thellë 5-0 në “Wembley” nga Anglia, në një ndeshje, ku gjithçka shkoi keq për kuqezinjtë…
90′ – Akordohen dy minuta shtesë…
87′ – Laçi provon nga distanca për të gjetur golin e nderit, por topi shkon lehtë në duart e portierit anglez.
86′ – Largohet Uzuni dhe në fushë zbret Odise Roshi…
74′ – Zbritje e shpejtë e anglezëve, por Strakosha ndal goditjen e Jack Grealish dhe na shpëton nga goli i 6…
66′ – Aksion i mirë i kuqezinjve, me Laçin që provon të imitojë Kane në zonë, por shkakton faull në sulm…
47′ – Presing lart i Shqipërisë. Goditje potente e Cikalleshit, por tepër qendrore dhe pret pa probleme Pickford…
46’ – Nis pjesa e dytë, Trajneri Reja lë në dhomat e zhveshjes Bajramin e Trashin, për të hedhur në fushë Ramadanin e Mihajn.
45’+1 – Vërshëllen arbitri. Mbyllet pjesa e parë me rezultatin e thellë 5-0 për Anglinë…Shkon gjithçka keq për kuqezinjtë, që humbin dy lojtarë për shkak dëmtimi dhe shpërdorojnë një rast flagrant me Uzunin, kur rezultati ishte 1-0.
45’+1 – Qershia mbi tortë. Harry Kane shënon një gol spektakolar, me një roveshiatë në zonë, që mposht për herë të pestë Strakoshën. 5-0 dhe tre gola për kapitenin e “tre luanëve”, që as në stërvitje nuk e ka ndjerë veten kaq komod.
38’ – Tjetër rast i rrezikshëm për vendasit. Kane harrohet në shtyllën e dytë dhe lëshon një diagonale të frikshme, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Shpëtojmë me fat.
34′ – Kthehet në lojë fëmijësh. Gabon fatalisht Barjami dhe më pas Harry Kane e ka të lehtë të shënojë golin e katërt…
32′ – Goditje e bukur e Harry Kane, reagon Thomas Strakosha në mënyrë të shkëlqyer. Këndore për vendasit
28′ Sërish Anglia, shënon edhe golin e tretë. Këtë herë është mesfushori Jordan Henderson që kombinon me Kane dhe më pas mposht për herë të tretë portierin Thomas Strakosha.
27′ – Cikalleshi merr një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe hyn në zonë, ku gjuan me të majtën, por topi shkon lehtë në duart e Pickford…
25′ – Ndëshkohet edhe Ardian Ismajli
21′ – Karton i verdhë për Cikalleshin
18′ – Na ndëshkon sërish Anglia. Pas një aksioni të shpejtë, Henderson dërgon një krosim perfekt për Kane, që e ka shumë të lehtë ta shtyjë në rrjetë, shumë pranë portës së Strakoshës.
17′ – Largohet edhe Kumbulla i dëmtuar, për t’i lënë vendin Dermakut…
14′ – Çfarë humb Uzuni. Anglezët gabojnë në një kthim topi dhe Uzuni e sheh veten i vetëm përballë portierit Pickford, por gjuan dobët dhe i jep mundësi anglezit të grushtojë. Shpërdorojmë një rast ideal për të rikthyer baraspeshën.
12′ – Largohet Bare i dëmtuar dhe në fushë hyn Qazim Laçi…
11′ – Pranë golit të dytë “tre luanët me Foden, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit…
9′ – Na ndëshkon Anglia në rastin e parë të krijuar. Një rreshtim i gabuar gjatë një goditjeje standarde, bëri që Maguire të gjendej i vetëm me Strakoshën dhe gjuajti saktë me kokë, për të dërguar topin në rrjetë…
9′ – Karton i verdhë për Gjasulën, për një faull ndaj Kane
6′ – Ndalet loja, pasi Keidi Bare ka nevojë për ndihmën mjekësore.
– Starton sfida pas një minute heshtje në nderim të ish futbollistit anglez Ron Flowers, i ndarë nga jeta gjatë ditës së sotme, por edhe të “Ditës së Përkujtimit të viktimave të luftës…
– Prani e lartë tifozësh shqiptarë në shkallët e “Wembley”-t, siç duket edhe në videon e transmetuar në Supersport vetëm pak minuta para startit të sfidës…
Formacionet zyrtare:
Anglia (3-4-3): Pickford; Walker, Maguire, Stones; James, henderson, Philipps, Chilwell; Foden, Kane, Sterling
Shqipëria (5-3-2): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Trashi; Gjasula, Bare, Bajrami; Uzuni, Cikalleshi

– Atmosferë fantastike në rrugën drejt “Wembley”-t. Të shumta edhe ngjyrat kuqezi…

– Në “Wembley” janë shitur të gjitha biletat për sfidën e sotme, teksa një pjesë e madhe e tyre janë blerë nga tifozë shqiptarë. Kjo pritet të jetë transferta me më shumë tifozë kuqezi…
– Tifozë shqiptarë të grumbulluar në hyrjen e stadiumit…
– Kuqezinjtë janë përballur 6 herë me Anglinë, 5 prej të cilave në eliminatoret e Botërorit dhe një herë tjetër në miqësore. Të gjithë ndeshjet janë fituar nga Anglia, ndërsa vlen të theksohet se kuqezinjtë nuk kanë shënuar asnjëherë në Londër.
– Anglia kryeson grupin eliminator me 20 pikë dhe një fitore sot i siguron biletën për në Katar, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me 15 pikë dhe nuk e ka në dorën e saj fatin e kualifikimit.
– Trajneri Edi Reja nuk ka në dispozicion për këtë takim mbrojtësin Berat Gjimshiti, i cili nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe mungon në grumbullim, ndërsa Rey Manaj nuk ka marrë ftesë.



