VIDEO/ Super Greca, Kastrioti thyen Dinamon dhe rihap garën për mbijetesë
Dy gola të Bedri Grecës vendosën sfidën Kastrioti-Dinamo. Ekipi krutan fitoi 2-0 në sfidën e luajtur në stadiumin e Kamzës, duke siguruar tre pikë të arta për objektivin mbijetesë. Djemtë e Emiliano Çelës janë ngjitur në kuotën e 15 pikëve, dhe tani ndodhen vetëm katër pikë poshtë Dinamos, që ka marrë vetëm një pikë në tre takimet e fundit në kampionat.
Miqtë e nisën më mirë ndeshjen dhe dominuan kundërshtarin në 30 minutat e para. Chinedu kishte një shans të artë në minutën e 14-të, teksa tentuan edhe Reginaldo e Bardhi. Kastrioti e mori veten pas gjysmë ore lojë dhe filloi të shfaqej i rrezikshëm me Grecën dhe sulmuesin brazilian Kaina. Dida pati një mundësi të mirë për vendasit në minutën e 37-të.
Kaq për pjesën e parë, teksa Kastrioti e filloi shumë mirë fraksionin e dytë, duke realizuar dy herë brenda 18 minutave. Asiste të Edon Hasanit dhe Henry Okebugwut, dhe finalizime të Bedri Grecës. Katër gola sezonalë në Superiore për 31-vjeçarin. Dinamo tentoi të hapte ndeshjen, por nuk pati forcë dhe mbetet sulmi më i dobët në Abissnet Superiore. Kastrioti menaxhoi shumë mirë avantazhin e dyfishtë dhe festoi në fund.
KASTRIOTI-DINAMO 2-0 (Greca 50′, 68′)
Kronika e ndeshjes:
90+4′ Goditje dënimi për ekipin e Shkëmbit. Gjuan kapiteni Ibraimi, topi mbi tra.
88′ Tension në fushë mes Reginaldos dhe Abaz Karakaçit.
85′ Dinamo tenton të hapë ndeshjen. Kroson Kasmollari, por Chinedu është i pasaktë me kokë.
77′ Këndore për Dinamon. Devijon Imami me kokë, por asnjë lojtar i Dinamos nuk arrin te topi.
68′ Kastrioti realizon golin e qetësisë. Okebugwu niset në krahun e djathtë dhe dhuron asist për Grecën, i cili mposht për herë të dytë Simonin.
65′ Kaina vazhdon të shfaqet problematik për mbrojtjen e Dinamos. 24-vjeçari merr një top nga mbrojtja dhe tenton një parabolë, por e pasaktë.
62′ Dinamo shumë afër barazimit. Kroson Prodani nga e majta, gjuan me kokë Patrik Bardhi, topi përfundon jashtë.
61′ Këndore për vendasit. Kaina gjuan me kokë, topi përfundon ngjitur me shtyllën e Dinamos.
60′ Kaina tregon forcë në dyluftime dhe nxjerr Kastriotin përpara. Greca dhuron një asist për sulmuesin brazilian, i cili gjuan një penallti në lëvizje, por Simoni mban në lojë miqtë me një pritje fantastike.
57′ Mundësi e mirë për Dinamon. Dalje e gabuar e portierit Sali. Gjuan braziliani Denisson nga larg, topi përfundon mbi tra.
50′ Kastrioti në avantazh. Asist i Edon Hasanit dhe finalizim i Bedri Grecës, i cili dërgon topin në mes të këmbëve të Simonit.
48′ Dinamo pretendon për penallti pas një kontakti në zonë mes Denisson dhe Hasanit, kryesori Myrtja vijon lojën.
Përfundon me rrjeta të paprekura pjesa e parë e takimit Kastrioti-Dinamo.
37′ Vendasit pranë golit. Kaina tenton me një kthesë, por largon topin. Samake. Më pas krosim nga e djathta, Bekim Dida i shkëputet mirë mbrojtjes mike, por koordinimi është i pasaktë.
30′ Zgjohet Kastrioti. Greca dhe Kaina kombinojnë bukur me njëri-tjetrin, Imami bllokon sulmuesin anësor. Këndore për ekipin e Çelës, Hasani nuk përfiton nga një top i larguar nga portieri Simoni.
25′ Dinamo vazhdon të sulmojë në krahun e djathtë. Bardhi futet në zonën kundërshtare, diagonalja e tij përfundon jashtë.
22′ Dyluftim mes Okebugwu dhe Demirit. Arbitri Myrtja akordon faull për Dinamon, protestojnë lojtarët vendas.
17′ Goditje dënimi për Dinamon pas faullit ndaj Patrik Bardhit. Gjuan Denisson, devijon muri krutan.
14′ Kundërsulm i shpejtë i Dinamos. Samake pason për Denisson. Braziliani futet në zonë dhe pason për Chinedu, i cili humbet një mundësi të artë.
9′ Dinamo sulmon nga krahu i djathtë. Chinedu pason në zonë, gjuan keq Reginaldo.
Formacionet zyrtare
Kastrioti-Dinamo është takimi i parë i javës së 19-të në Abissnet Superiore. Dy skuadrat do të përballen mes tyre në stadiumin e Kamzës (13:45), që do të transmetohet në Supersport 3. Të dy skuadrat do të zbresin në fushë për të marrë pikët maksimale, teksa trajnerët Emiliano Çela dhe Bledi Shkëmbi kanë zgjedhur titullarët e këtij takimi.
Vendasit zbresin në fushë me skemën 4-1-4-1. Tre ndryshime ka bërë Çela në krahasim me sfidën e fundit ndaj Vllaznisë. Prodani është transferuar te Dinamo, teksa janë ulur në stol Basha dhe Ajazi. Në vend të tyre do e nisin si titullarë Kodra, Hasani dhe braziliani Kaina në majë të sulmit.
Ndryshime edhe te Dinamo. Blutë zbresin në fushë me skemën 4-4-2. Kapiteni Ibraimi do e fillojë sfidën nga stoli, Imami rikthehet titullar në prapavijë në vend të Sofranac, ndërsa ofensiva do t’i besohet dyshes Reginaldo-Chinedu. Lilaj do të jetë kapiteni i ekipit kryeqytetas sot. Arbitri kryesor i ndeshjes është Indrit Myrtja.
KASTRIOTI (4-1-4-1): Sali; Neziri, Hussein, Dida, Rami; Karakaçi; Kodra, Okebugwu, Hasani, Greca; Kaina. Trajner: Emiliano Çela.
DINAMO (4-4-2): Simoni, Malikji, Demiri, Imami, Samake; Bardhi, Lilaj, Sidibe, Denisson; Reginaldo, Chinedu. Trajner: Bledi Shkëmbi.
Gjyqtarë: Indrit Myrtja (kryesor), Elvis Gjoka, Mehmet Bega, Olsid Ferataj. VAR: Kreshnik Cjapi, AVAR: Orgest Grabova.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



