VIDEO/ Talenti i Barcelonës trulloset pas një goditje në kokë, katalanasit e dërguan në spital
Barcelona ka dalë e mposhtur nga sfida e ditës së djeshme në La Liga teksa humbi në shtëpi me rezultatin 0-1, ndaj Betis. Por, përveç rezultatit negativ dhe që komplikon sezonin e katalanasve në kampionat, një tjetër lajm i keq për trajnerin Xavi Hernandez ishte edhe problemi me talentin Gavi.
Futbollisti i Betis, Hector Bellerin në përpjekje për të larguar topin, në mënyrë të pavullnetshme gjeti si destinacion vetëm kokën e 17-vjeçarit. Goditja ishte e fortë dhe Gavi u shemb në tokë, ndërsa provoi të vijonte lojën. Megjithatë, vetëm pak minuta më pas, spanjolli u dorëzua duke kërkuar ndihmën e mjekëve të cilët vendosën ta dërgonin në spital për të qenë plotësisht të sigurt se për lojtarin nuk do të kishte asnjë pasojë të mëvonshme.
Për fat të mirë, mesfushori me tipare sulmuese është në gjendje të stabilizuar dhe klubi i Barcelonës ka njoftuar se pas përgjigjeve pozitive të analizave, Gavi ka lënë ambientet e spitalit. Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë të jetë i gatshëm për ndeshjen europiane të mesjavës, atë ndaj Bayern Munich në transfertë.



