VIDEO/ Teuta siguron biletën për në gjysmëfinalen e Kupës, eliminohet Skënderbeu
Teuta ia ka dalë të sigurojë biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa ka mposhtur në Elbasan Arena, Skënderbeun me rezultatin 1-0, po aq sa edhe në sfidën e parë në Korçë. Goli vendimtar i ndeshjes u shënua në minutën e tetë të ndeshjes nga Rubin Hebaj teksa pati një episod në favor të durrsakëve që pas një kontakti mes Zguros dhe Qaqit në zonë, fituan 11-metërsh.
Nga pika e bardhë, shkodrani u tregua i saktë dhe mposhti gardianin Ruci (Hebaj ndëshkoi Skënderbeun edhe në ndeshjen e parë në Korçë). Në vazhdim, Skënderbeu provoi të reagonte teksa ishte Belajdi Pusi ai që shpërdoroi një rast të artë me Zguron që i pasoi në zonë, por sulmuesi u tregua i pavëmendshëm. Sakaq, në fraksionin e dytë, Skënderbeu i Migen Memellit provoi të reagonte teksa mundësia i erdhi Erlis Frashërit.
Gjithsesi, mbrojtësi anësor gaboi duke dalë huq në zonë. Ndërkaq, korçarët provuan edhe shijen e golit me anë të Dajan Shehit, por pak çaste më vonë goli u anulua prej sistemit VAR për shkak se mbrojtësi ishte në pozicion jashtë loje.
Në vazhdim, ndeshja nuk prodhoi raste të pastra, ndërsa për t’u përmendur edhe debutimi i Jahmir Hykës me Teutën në minutën e 84. Ndërkaq, rezultati nuk ndryshoi dhe në këtë formë, Teuta avancon në Kupë ndërsa Skënderbeu eliminohet dhe vëmendja e bardhekuqve tashmë shkon në kampionat aty ku situata për ta nuk është e lehtë.
Kronika e ndeshjes:
Teuta-Skënderbeu 1-0 (2-0)/ Shënues: 8’pen.Hebaj
90+4′ Mbyllet ndeshja në Elbasan, Teuta fiton 1-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-0 kalon në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Sakaq, përfundon këtu aventura e Skënderbeut në Kupë me korçarët që edicionin e kaluar mbërritën deri në finale
63′ VAR anulon golin e Skënderbeut, Dajan Shehi shënon por mbrojtësi rezulton në pozicion të parregullt !
52′ Provon të kundërpërgjigjet Teuta, Beqja i vjedh topin Victor por në fund e ndal portieri Ruci
52′ Vangjeli lëviz shumë bukur në krahun e majtë të fushës duke nxjerrë blof lojtarët durrsakë, kroson në zonë aty ku fillimisht Jean Victor nuk koordinohet saktë, ndërsa në vazhdim Mara godet, por sfera përfundon jashtë kuadratit të Qirkos për punë centimetrash
48′ Skënderbeu e nis me vrull pjesën e dytë, por Frashëri shpërdoron dhe në fund fiton vetëm një goditje këndi
45+2′ Përfundon pjesa e parë në Elbasan, Teuta e mbyll në avantazh falë golit të Hebajt në minutën e tetë me sulmuesin që realizoi nga pika e bardhë
43′ Pusi shfaqet edhe njëherë në aksion për korçarët, goditja e sulmuesit është e lehtë dhe nuk vendos në alarm portierin Qirko
40′ Zguro del fitimtarë nga dueli me E.Vilën në krahun e majtë të fushës, mbrojtësi pason mirë në zonë për Pusin, por sulmuesi tregohet i pavëmendshëm dhe shpërdoron një rast të artë
34’Gjyqtari Ziri ndëshkon me karton të verdhë Sadriun, pas një ndërhyrje ndaj Hebajt. Megjithatë, kartoni më shumë se sa për ndërhyrjen e gabuar, e ndëshkon mbrojtësin e korçarëve për protestë
21′ Zguro harkon në zonën e Teutës, por aty portieri Qirko ndërhyn dhe largon rrezikun ndërsa fiton edhe një goditje dënimi. Portieri mbetet paksa i dëmtuar, por për fat të mirë nuk ka asgjë serioze
8′ Gooooool! Hebaj kalon Teutën në avantazh, sulmuesi ndëshkon portierin Ruci nga pika e bardhë
6′ Teuta fiton penallti teksa Zguro gabon në ndërhyrjen ndaj Qaqit
Nis sfida në Elbasan, Teuta pret Skënderbeun për ndeshjen e kthimit në raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë ka përfunduar me fitoren e durrsakëve 0-1
Formacionet zyrtare:
Teuta (4-3-3): Qirko, Idrizaj, Jazxhi, Qaqi, Kotobelli, Avdyli, Aleksi, Beqja, E.Vila, L.Vila, Hebaj
Trajner: Renato Arapi
Skënderbeu (5-3-2): Ruci, Frashëri, Randy, Sadriu, Shehi, Zguro, Mara, Victor, Vangjeli, Mensah, Pusi
Trajner: Migen Memelli
Arbitër: Blerim Ziri
Asistentë: Endrit Veseli, Jetmir Podgorica
Gjyqtar i katërt: Olsion Yzeiraj
VAR: Indrit Myrtja
AVAR: Erind Burgu



