VIDEO/ Tirana bën detyrën ndaj Egnatias, bardheblutë sërish +6 mbi Laçin
Tirana nuk gabon përballë Egnatias, ekip të cilin e mposhti 2-0 në “Air Albania”. Suksesi i katërt radhazi në Abissnet Superiore për ekipin kryesues, që ngjitet në kuotën e 46 pikëve, duke e rikthyer në 6 pikë diferencën me Laçin ndjekës.
Redon Xhixha dhe Engjëll Hoti realizuan golat e fitores për bardheblutë e Orges Shehin, që luajtën pa Taulant Seferin dhe Erion Hoxhallarin. Xhixha zhbllokoi takimin në minutën e 13-të.
Kombinime të bukura mes tij, Devid dhe Limajt, dhe gol i sulmuesit kurbinas, i cili është ngjitur në shifrën e 9 realizimeve në kampionat. Egnatia mbeti me dhjetë lojtarë në fundin e pjesës së parë.
Kryesori Cjapi i dha karton të verdhë Demir Imerit pas ndërhyrjes së ashpër kundër Behiratche, por ndryshoi mendim pasi pa pamjet në VAR. I kuq për Imerin dhe ekipi nga Rrogozhina me një lojtar më pak.
Gjithçka u bë më e lehtë për Tiranën. VAR-i anuloi golin e dytë të Xhixhës (55’), teksa golin e qetësisë e shënoi Engjëll Hoti, pak sekonda pasi u fut në fushë. Eurogoli i mesfushorit dardan qetësoi Tiranën, që mori tre pikët e radhës pa konsumuar shumë energji.
Abissnet Superiore
Java e 20-të
Tirana-Egnatia 2-0 (Xhixha 13′, Hoti 80′)
Kronika e ndeshjes:
80′ Eurogol i Engjëll Hotit. Mesfushori realizon golin e qetësisë për Tiranën pak çaste pasi u fut në fushë.
76′ Goditje dënimi për Tiranën. Tenton Vesel Limaj, topi mbi traun e portës së Egnatias.
65′ Xhixha merr një top nga Ismajlgeci, por gjuajtja e menjëhershme është e pasaktë.
58′ VAR-i anulon golin e sulmuesit bardheblu për pozicion të parregullt. Rezultati vijon 1-0 për Tiranën.
55′ Tirana realizon edhe golin e qetësisë. Asist i Toshevskit dhe finalizim i Redon Xhixhës, i cili gjen golin e dytë personal me një gjuajtje të menjëhershme.
52′ Reagon Egnatia. Ilirid Ademi lëviz mirë në krahun e djathtë dhe gjuan drejt portës kundërshtare, pret pa probleme Bekaj.
47′ Kalibrimi i Vesel Limajt ndalet nga Ademi, tenton edhe Aldi Gjumsi, por gjuajtja është e pasaktë.
47′ Gjuajtje kros e Marsel Ismajlgecit, devijon në këndore Bruno Puja.
45+3′ Karton i kuq për Demir Imerin pas ndërhyrjes nga mbrapa ndaj Behiratches. Kryesori Cjapi ndryshon mendim pasi sheh pamjet në VAR, anulon kartonin e verdhë dhe i nxjerr të kuqin lojtarit mik.
44′ Goditje potente e Redon Xhixhës, topi kalon ngjitur me shtyllën.
37′ Kundërpërgjigjet Tirana me Devid, por gjuajtja potente e sulmuesit brazilian përfundon jashtë.
37′ Moment i mirë për skuadrën mike. Ademi hedh një top nga krahu i djathtë, devijimi i Delarge i pasaktë.
31′ Zbritje e bukur e ekipit mik. Ilirid Ademi nis një krosim nga e djathta, topi përfundon mbi traun e portës së Bekajt.
13′ Tirana zhbllokon takimin me anë të Redon Xhixhës. Sulmuesi laçian kombinon bukur me Devid dhe Limajn, dhe mposht portierin Puja me një goditje të saktë.
Tirana pret në stadiumin Air Albania, Egnatian teksa bardheblutë kërkojnë të marrin fitoren e katërt radhazi për të vazhduar të qetë kryesimin në Abissnet Superiore. Trajneri Orges Shehi ka zbuluar edhe formacionin titullar që ka disa ndryshime, kjo edhe për shkak të mungesës së Hoxhallarit dhe Seferit.
Kështu, nga minuta e parë luan Aldi Gjumsi, po ashtu edhe braziliani Devid De Silva. Ndërsa, në mesfushë Toli ka marrë vendin e Najdovskit të spostuar në qendër të mbrojtjes së bashku me Behiratchen.
Nga ana tjetër, rrogozhinasit janë në një pozitë të vështirë teksa renditen të parafundit dhe vijnë pas disfatës me Kukësin. Ndërkaq, trajneri Zekirija Ramadani ka vendosur për lojtarët titullarë, teksa rikthehet Gëzim Krasniqi në qendër të mbrojtjes, ndërsa aktivizohet edhe Dzon Delarge.
FORMACIONET ZYRTARE
Tirana: Bekaj, Toshevski, Behiratche, Najdovski, Ismajlgeci, Toli, Limaj, Totre, Gjumsi, De Silva, Xhixha
Trajner: Orges Shehi
Egnatia: Puja, Ymeralilaj, Krasniqi, Duranski, Ademi, Jackson, Agbekpornu, Krivanjeva, Delarge, Imeri, Lila
Trajner: Zekirija Ramadani



