VIDEO/ Tirana rikthehet te triumfi, bardheblutë i gëzohen pikëve dhe zhbllokimit të Ngoo
Tirana është rikthyer te suksesi në ditën e sotme teksa ka mposhtur në transfertë Egnatian me rezultatin 0-2. Bardheblutë ishin dominues në fushë ndaj rrogozhinasve ndërsa e nisën me vrull sfidën duke kërkuar golin me anë të Seferit, i cili në fakt shpërdoroi një rast të artë në minutën e pestë. Sakaq, të besuarit e trajnerit Orges Shehi nuk e ulën ritmin dhe në vazhdim ishte Limaj që provoi dy herë me goditje në hyrje të zonës, megjithatë pa gjetur kuadratin e Duric.
Por, momenti vendimtar do të vinte në minutën e 38-të, teksa si rezultat i një kombinimi mes Seferit dhe Ismajlgecit, ky i fundit shënoi me një goditje të fortë Brenda zonës. Goli ndikoi te vendasit e Përparim Daiut, të cilët në minutat shtesë të fraksionit të parë, pësuan edhe golin e dytë. Seferi provoi nga distance, por portiere Duric nuk u tregua i sigurtë me sferën që i shpëtoi nga duart.
Aty pranë përfitoi Michael Ngoo, që shtyu topin në rrjetë ndërsa sulmuesi u zhbllokua pas një thatësirë që zgjaste nga java e parë e kampionatit ku i shënoi dy herë Skënderbeut. Sa i takon 45-minutave të dyta, Tirana diti të menaxhonte rezultatin dhe forcat, teksa nuk lejoi rrogozhinasit të ktheheshin në një kërcënim për ta. Pas kësaj ndeshje, bardheblutë ruajnë vendin e parë duke shkuar në kuotën e 24 pikëve, të ndjekur nga Kukësi me një pikë më pak.
Egnatia-Tirana 0-2 (38′ Ismajlgeci, 45+2′ Ngoo) Arena Egnatia(Rrogozhinë)
Kronika e ndeshjes:
75′ Tirana në sulm, Hoti provon një goditje në hyrje të zonës por nuk ka saktësinë e duhur.
57′ Minuta të qeta në Rrogozhinë, Tirana administron avantazhin e dy golave të pjesës së parë
45+2′ Gooool! Tirana gjen edhe golin e dytë, Ngoo nuk fal në zonë. sulmuesi anglez shfrytëzon pasigurinë e portierit Duric pas një goditje të Seferit dhe rikthehet te goli që i mungonte prej javës së parë të kampionatit
38’Gooool! Shënon Tirana, bardheblutë realizojnë me anë të një kombinimi Seferi-Ismajlgeci. Ky i fundit shënon me një diagonale të bukur
35′ Edhe njëherë tjetër Limaj godet në hyrje të zonës, sërish mesfushori nuk gjen kuadratin e Duric
30′ Tirana vazhdon të mbetet kërkuese në sulm, një tjetër mundësi e mirë për bardheblutë. Limaj nuk arrin të gjejë kuadratin pas një pasimi të Totre
29′ Seferi shfaqet sërish një kërcënim për Egnatian, por goditja e sulmuesit të Tiranës nuk është e saktë
6′-Asist perfekt i Gjumshit për Seferin por sulmuesin nga Kumanova gabon nga shumë pranë
1′ Starton sfida në Arena Egnatia, ku vendasit sfidojnë Tiranën
Egnatia-Tirana është sfida mes dy skuadrave që po kalojnë një moment jo në Abissnet Superiore. Rrogozhinasit pas humbjes ndaj Kukësit larguan trajnerin Gugash Magani dhe sot do të drejtohen nga Përparim Daiu përballë një Tirane që ka nevojë për t’u rikthyer te fitorja në mënyrë që të mos humbasë kreun e renditjes. Egnatia nuk fiton në 5 ndeshjet e fundit dhe ka gjithashtu shumë nevojë për pikë për t’iu larguar zonës së rrezikut. Kjo ndeshje ka shumë të panjohura brenda ndaj parashikohet një sfidë vërtet interesante mes dy skuadrave që në fazën e parë ndanë pikët në kryeqytet.
Formacionet zyrtare:
Egnatia(4-4-2): Duric, Ymeralilaj, Krasniqi, Krivanjeva, Allmuça, Çyrbja, Telushi, Iseni, Jackson, Shtubina, Magani. Trajner: Përparim Daiu
Tirana(4-3-3): Bekaj, Toshevski, Behiratche, Hoxhallari, Ismajlgeci, Najdovski, Totre, Limaj, Gjumsi, Seferi, Ngoo. Trajner: Orges Shehi
Shifra dhe fakte:
-9 ndeshje ka Michael Ngoo që nuk shënon me Tiranën në kampionat, në këtë sezon ka shënuar vetëm 2 gola ndaj Skënderbeut në javën e parë.
-Më shumë se 8 vite ka Përparim Daiu që nuk drejton si trajner një skuadër të Superiores që nga eksperienca e fundit me Besën në sezonin 2012-2013.
-10 pikë ka Tirana më shumë se Egantia në renditje.
– Taulant Seferi me 5 gola është shënuesi më i mirë i Tiranës në këtë sezon, ndërsa Egnatia liderin e sulmit ka brazilianin Pedro Augusto autor i 4 golave.



