VIDEO/ Tonali mban Milanin afër kreut, i dhuron fitoren në stadiumin e preferuar
Milani kaloi një test të vështirë sonte në Verona. Kampionët e Italisë siguruan pikët maksimale pas triumfit 1-2 përballë Hellas-it vendas. Minutat e para sollën dy autogola. Ai i kapitenit Miguel Veloso kaloi kuqezinjtë e Piolit në avantazh në minutën e nëntë, teksa dhjetë minuta më vonë gaboi Matteo Gabbia në krahun tjetër.
Qendërmbrojtësi italian devijoi gabimisht në portën e tij një gjuajtje diagonale të Koray Gunter. Golin e fitores për Milanin e realizoi Sandro Tonali pas asistit të marrë nga Ante Rebic në minutën e 81’.
Mesfushori italian u tregua gjakftohtë përpara portës dhe shijoi golin e parë sezonal në Serie A në “Bentegodi”, stadium ku më 8 maj realizonte një dygolësh në ditën e tij të lindjes në fitoren 1-3, aq shumë e rëndësishme në fitimin e titullit kampion nga ekipi i Stefano Piolit.




