VIDEO/ U rrëzua në një greminë, çiklisti rikthehet dhe e përfundon garën në vendin e 10
Incidentet në sportin e çiklizimit janë gjithnjë të rrezikshme dhe në pjesën më të madhe ata që përplasen apo rrëzohen nuk arrijnë ta mbyllin garën. Mirëpo, e kundërta ka ndodhur me çiklistin Mattias Skjelmose, i cili gjatë etapës së dytë të Volta Catalunya pasi humbi ekuilibrin u rrëzua në një greminë 15 metra të thellë.
Të gjithë menduan se 21-vjeçari do të kishte pësuar ndonjë frakturë të rëndë, mirëpo vetëm pas pak çastesh ai u rikthye sërish në rrugë duke mbajtur në krah biçikletën e shkatërruar.
Skjelmose i bëri të ditur skuadrës së tij se ishte mirë në aspektin shëndetësor, ndërsa iu kërkoi menjëherë një biçikletë tjetër. Në fund, çiklisti danez ia doli t’i shkonte deri në fund etapës duke kompletuar 203 km garë, ndërsa mund të konsiderohet një arritje e madhe fakti që u rendit në vendin e 10.



