VIDEO/ VAR-i prish festën e Teutës, Gega dhe Skënderbeu “abonohen” me barazime
Mbyllet pa gola sfida Teuta-Skënderbeu. Takimi i luajtur në “Niko Dovana” nuk u ngjit në asnjë moment në nivelin e duhur, ritmi nuk ishte i lartë, teksa munguan dhe rastet për gol.
Barazimi i tretë radhazi për Skënder Gegën, por ekipi korçar ka nevojë për fitore për të shpëtuar. Uerdi Mara, Elvi Berisha dhe Belhajdi Pusi provuan për Skënderbeun, teksa Teuta iu afrua golit me Ruben Acquah dhe Emiliano Vilën (traversë).
Minutat e fundit ishin tepër emocionuese. Mara dhe Pusi rrezikuan për korçarët, por golin e gjeti Artan Jazxhi për kampionët në fuqi. Ishte minuta e dytë shtesë, por VAR-i anuloi golin për pozicion të parregullt të mbrojtësit durrsak.
Përfundimisht 0-0, me Teutën që ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vend të nëntë. Barazimi numër 11-të i Skënderbeut, që mbyll renditjen e Superiores me vetëm 20 pikë.
Abissnet Superiore
Java e 27-të
Teuta-Skënderbeu 0-0
Kronika e ndeshjes:
90+2′ Zhbllokohet rezultati. Artan Jazxhi, i harruar nga mbrojtja mike, tregon aftësi sulmuesi përballë Rexhepit. Festa durrsake merr fund pas përfshirjes së VAR-it. Goli anulohet për pozicion të parregullt të mbrojtësit vendas.
90+1′ Skënderbeu sërish i rrezikshë. Pusi devijon me kokë një krosim të Zguros, pret pa probleme Qirko.
90′ Uerdi Mara afër eurogolit. Gjuajtje e bukur e numrit 10 të Skënderbeut përfundon jashtë.
87′ Provon Lorenco Vila me një goditje të bukur, topi ngjitur me shtyllën e Bekim Rexhepit.
81′ Aleksi dhe Berisha vazhdojnë debatin në distancë, arbitri i ndëshkon të dy me të verdhë.
78′ Tension në fushë mes Albano Aleksit dhe Elvi Berishës, kryesori Xhaja i qetëson të dy.
75′ Teuta pranë golit, por gjuajtje me kokë e Emiliano Vilës ndalet nga traversa.
72′ Çfarë shansi për Skënderbeun. Dajan Shehi gjuan me kokë pas krosimit të Zguros nga goditja e këndit, topi mbi tra.
69′ Goditje dënimi për Teutën. Kroson Kotobelli, Emiliano Vila provon me kokë i pa shqetësuar, topi jashtë.
64′ Kundërsulm i skuadrës korçare. Zguro hedh një top në zonë, largon Qirko, Pusi nuk arrin të përfitojë.
60′ Peposhi tenton nga larg, e pasaktë gjuajtja e lojtarit vendas.
45′ Pusi gjen Berishën, por ky i fundit vonohet në kontrollin e topit dhe ndërhyrja e Ruben Acquah eviton rrezikun në portën durrsake.
41′ Zgjohet Teuta. Portieri Rexhepi devijon në këndore një krosim të Blerim Kotobellit. Më pas shansi më i mirë i ndeshjes në këmbët e Ruben Acquah. Afrikani merr një top nga Lorenco Vila, por goditja potente përfundon mbi tra.
38′ Aksion i bukur i Skënderbeut. Berisha pason për Uerdi Marën, i cili gjuan, por devijon mbrojtësi Jazxhi.
31′ Merr fund ndeshja e Jurgen Vrapit, Kosta Vangjeli në vend të tij. Lëvizje e detyruar për trajnerin Skënder Gega.
22′ Mundësi e mirë për Skënderbeun. Kombinime të bukura të lojtarëve korçarë, Elvi Berisha hedh një top në zonë, devijon portieri Pano Qirko. Në vijim të aksionit vjen kartoni i parë i verdhë. Ndëshkohet kapiteni Vangjel Zguro.
– Starton sfida në “Niko Dovana”…
Teuta luan ndeshjen e parë të Abissnet Superiores në “Niko Dovana”, pasi deri tani ka shtegtuar për shkak të punimeve të kryera në tapetin e tij, teksa do të përballet me Skënderbeun e vendit të fundit.
Durrsakët janë shfaqur larg pritshmërive këtë sezon dhe tashmë rrugën e vetme për në Europë e kanë nëpërmjet Kupës, megjithatë në kampionat nuk mund të rrinë të qetë, pasi janë afër zonës së ftohtë të renditjes.
Nga ana tjetër, korçarët janë në vendin e fundit dhe me pak shpresa për mbijetesë, të cilat mund të veniten nëse marrin një rezultat negativ pasditen e sotme në “Niko Dovana”.
Formacionet zyrtare:
Teuta (4-4-2): Qirko; Todorovski, Aleksi, Jazxhi, Kotobelli; L. Vila, Acquah, Beqja, Hyka; Plaku, Daci. Trajner: Renato Arapi.
Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi; Vrapi, Sadriu, Shehi, Dwumfour, Zguro; Mara, Victor, Moraes; Berisha, Pusi. Trajner: Skënder Gega.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



