Video/ Vendos një penallti e Lushkjas, Laçi mposht Tiranën dhe hedh kandidaturën për titull
Një penallti e akorduar me ndihmën e VAR-it në minutat e fundit të ndeshjes dhe një ekzekutim i saktë i Regi Lushkjas, bëri që Laçi “t’u hajë kokën” edhe kryesuesve të Tiranës dhe të rikthehet plotësisht në garën për titullin kampion.
Me tre fitore radhazi, kurbinasit e shohin veten në kuotën e 21 pikëve në vendin e katërt dhe vetëm 6 pikë larg kreut, teksa pikërisht sukseset ndaj Kukësit e Tiranës, konfirmojnë se edhe skuadra e Josës mund të garojë për titullin.
Nga ana tjetër Tirana bën shumë pak për të marrë fitoren në Laç dhe krijon shumë pak mundësi, duke humbur kështu rastin për t’u shkëputur në krye të renditjes dhe duke regjistruar humbjen e dytë sezonale.
Laçi – Tirana 1-0 Lushkja 90′ (pen)
90’ – Gooool. Regi Lushkja shkon nga pika e bardhë dhe gjuan saktë, duke dërguar topin në rrjetë. Zhbllokohet sfida në minutën e 90’ me kurbinasit që kalojnë në avantazh.
86’ – Aksion i bukur i kurbinasve, me Deliun që driblon Bekajn dhe rrëzohet. Arbitri Cjapi lejon vijimin e lojës, por thirret nga VAR-i dhe ndryshon mendim, duke akorduar penallti
76′ – Bekaj grushton keq një top të hedhur në zonë, duke e lënë në këmbët e futbollistëve të Laçit, që provojnë menjëherë, por dërgojnë mbi kaudrat sferën. Shpëton mirë Tirana.
74’ – Lushkja ekzekuton një goditje dënimi, teksa gjuan fort, por pa saktësinë e duhur, duke dërguar topin mbi traversën e portës…
55’ – Ziko provon me një goditje të fortë nga distanca, por është pozicional Bekaj, që grushton dhe më pas mbrojtja bardheblu largon rrezikun.
– Mbyllet pa gola dhe me shumë pak raste pjesa e parë e ndeshjes
46’+1 – Shpëton mrekullisht Tirana, me Hoxhallarin që largon topin mbi vijën fatale. Laçi ekzekuton një goditje dënimi dhe topi devijohet keq nga Behiratce, por teksa po shkonte drejt rrjetës, ishte Hoxhallari që e largoi.
41’ – Guindo merr një top mbi vijën e zonës së rreptësisë dhe gjuan menjëherë në kthesë, por pret pa problem portieri Visar Bekaj.
36’ – Ka tension në tribuna, teksa një nga tifozët shfaqet duke hedhur plastika stolash drejt të tjerëve, megjithatë situata qetësohet shpejt.
11’ – Limaj provon nga distanca, por topi përfundon jashtë kuadratit, shumë pranë shtyllës pingule.
1′ – Topi e parë nga qendra e shqelmojnë futbollistë e Tiranës.
Formacionet:
Laçi: Dajsinani, Turkaj, Malota, Ivanovic, Roganovic, Lushkja, Shehu, Deliu, Ziko, Guindo, Zarubica. Trajner: Mirel Josa.
Tirana: Bekaj, Toshevski, Behiratche, Hoxhallari, Ismajlgeci, Najdovski, Toli, Totre, Seferi, Ngoo, Limaj. Trajner: Orges Shehi.



