Conference League

VIDEO/ Vllaznia shmang humbjen, kualifikimi vendoset në Rumani

Nis me barazim aventura e Vllaznisë në Conference League, me shkodranët që nuk shkuan dot përtej shifrave 1-1 ndaj rumunëve të Universitatea Craiovës, në sfidën e parë të turit të dytë eliminator.

Nën një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga tifozeria kuqeblu, në “Loro Boriçi” Vllaznia e nisi me shumë droje dhe ishin rumunët ata që patën të parët iniciativën, duke kërcënuar portën e Zogovic.

Kuqeblutë vuanin jo pak në daljet në sulm, me Krujën e Çobën që shtynin shumë pak në krahët përkatës, por edhe Heric e Aralicën, që dukej se ishin ende me pushime, ndërsa i vetmi që i jepte zemër skuadrës me paraqitjen e tij, ishte mesfushori Lorik Boshnjaku, i cili bëri për vete tifozërinë shkodrane që në ndeshjen e parë.

Në fundin e pjesës së parë arbitri irlandez akordon një penallti shumë të dyshimtë dhe bujare për rumunët, të cilën e ekzekuton saktë Ivan dhe dërgon skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-1.

Nga ana tjetër Josa bën menjëherë dy ndryshime, duke aktivizuar Markun e Hoxhajn në vendin e Heric dhe Krujës, dhe duket se kjo zgjedhje i ka dhënë të drejtë trajnerit kryeqytetas.

Pas një aksioni mjaft të bukur, Marku shërbehet në zonë, sheh Hoxhajn dhe e shërben, me vlonjatin që e ka të lehtë ta devijojë topin në rrjetë dhe të ndezë atmosferën në “Loro Boriçi”.

Goli zgjon kuqeblutë, që bëhet edhe më aktivë, ndërsa Josa hedh në fushë edhe brazilianin Kaina Nunes, që ka një marsh tjetër krahasuar me kroatin Aralica dhe fiton shumë dyluftime në sulm.

Kanë edhe fatin me vete shkodranët në dy momente, pasi ia hedhin paq nga goli i dytë, ndërsa në fund Josa provon edhe kartën Liridon Latifi, por prishtinaliu ishte dukshëm jashtë forme dhe nuk tregoi aspak nga cilësitë e tij teknike.

Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 1-1, që lë të hapura llogaritë për kualifikimin, një verdikt që do të jepet vetëm javën e ardhshme në Craiovë, kur edhe do të zhvillohet ndeshja e kthimit.

 

Vllaznia-Universitatea Craiovë 1-1  (Hoxhaj 51′ / Ivan 45’+1)

 

91’ – Kundërsulm i shpejtë e rumunëve, që i shkojnë pranë golit me Markovic, por gardiani i Vllaznisë grushton në këndore.

73’ – Zogovic gabon në dalje, por është me fat ai dhe Vllaznia, pasi rumunët nuk shtyjnë dot topin drejt rrjetës.

56’ – Entuziazëm i shkodranëve, që kanë një tjetër rast, por Çoba ngurron dhe shërben për Markun, që fiton vetëm një goditje nga këndi.

51’ – Gooooool. Ardit Hoxhaaaaaj. Aksion mjaft i bukur i kuqebluve, me Markun që shërben për Ardit Hoxhajn dhe vlonjatin që dërgon topin në rrjetë. Barazim dhe festë kuqeblu në “Loro Boriçi”. Një gol i ardhur nga stoli me Markun e Hoxhajn që erdhën nga pankina për të gjetur barazimin.

 – Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime. Josa lë në dhomat e zhveshjes Krujën dhe Heriç, për të aktivizuar Markun dhe Hoxhajn.

– Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 0-1

46’ – Ivan ekzekuton penalltinë dhe shënon, pavarësisht se Zogovic kupton krahun… Universitatea kryeson 0-1.

45’ – Baiaram hyn mirë në zonë dhe rrëzohet, ndërsa arbitri akordon menjëherë penallti. Duket një 11-metërsh mjaft bujar për rumunët, pasi sulmuesi rrëzohet vetë dhe nuk duket kontakt mes tij dhe Juriç.

42’ – Reagon Vllaznia me Hakajn, që provon me një gjuajtje-kros, por topi shkon pak larg kuadratit.

39’ – Universitatea shënon me sulmuesin Bajram, që lirohet në zonë dhe dërgon topin në rrjetë pas një gjuajtjeje me kokë, por golin nuk vlen, pasi anësori sinjalizon një pozicion jashtë loje milimetrik.

15’ – Aksion i rrezikshëm i Universitateas me Vagenin, që i shkon pranë golit, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të portës së Zogovic.

12’ – Provojnë rumunët me një goditje nga distanca, por topi shkon shumë larg kuadratit.

– Starton sfida në “Loro Boriçi”

Trajneri Mirel Josa ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë nga minuta e parë, duke lënë në stol emra si Latifi e Vulaj dhe aktivizuar nga fillimi kroatin Juriç dhe ish-kapiteni ne Prishtinës, Boshnjaku.

Formacionet zyrtare:
Vllaznia (4-3-3): Zogoviç; Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj; Jonuzi, Boshnjaku, Heriç; Çobaj, Kruja, Aralica

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency