Kategoria Superiore

Video/ Xhixha-show, Tirana shpartallon Dinamon dhe nis arratinë në krye

Tirana konfirmohet si pretendentja kryesore për titullin kampion, pasi bën të sajën derbin ndaj Dinamos dhe thellon distancën nga ndjekësit në renditjen e kampionatit. Bardheblutë hedhin pas krahëve humbjen në Kupën e Shqipërisë, sërish ndaj Dinamos dhe ofrojnë hakmarrjen më të mirë, duke fituar pastër 4-0 dhe duke nisur shkëputjen.

Në një atmosferë mjaft të mirë në “Air Albania”, bardheblutë bënë ndeshjen e tyre karakteristike, duke u mbrojtur me kujdes dhe kundërsulmuar shpejt, teksa pikërisht nga një rast i tillë, gjetën avantazhin në minutën e 45-të.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtin ritëm, me të besuarit e Shehit, që kapën në dy kundërsulme mbrojtjen dinamovite dhe shënuan dy herë të tjera me Xhixhën, duke vulosur fitoren që i ngjit në kuotën e 20 pikëve, 6 më tepër se Kukësi i vendit të dytë.

Tirana-Dinamo  4-0  Sidibe (Autogol) 45′, Xhixha 56′, 61′, Hoti 82′

Kronika e ndeshjes:

90’+3 – Vërshëllima finale e arbitrit Kreshnik Cjapi, la në fuqi fitoren e thellë 4-0 të Tiranës, që nis kështu shkëputjen në krye të renditjes, me 20 pikë.

90′ – Akordohen tre minuta shtesë.

86′ – Beshiraj i vetëm përballë Bakajt, por gardiani dinamovit pret dhe shmang golin e pestë…

82′ – Goooool. 4-0. Është Engjëll Hoti, i ardhur në fushë në pjesën e dytë, që bën gjithçka mirë në zonën dinamovite dhe dërgon për herë të katërt topin në rrjetën e portës së Edvan Bakajt. Në “Air Albania” ka vetëm një skuadër që luan dhe ajo është Tirana.

69′ – Tjetër rast i rrezikshëm i Tiranës, që del rrezikshëm me dyshen Xhixha-Seferi, por shpëton mirë Dinamo…

65′ – Çfarë humb Chinedu. Pas një goditjeje standarde, sulmuesit i del topi shumë pranë portës së Bekajt, por bën më të vështirën, duke gjuajtur jashtë…

61′ – Gooool. Xhixha sërish. Sulmuesi bardheblu i shpëton mbulimit të mbrojtjes dinamovite dhe mposht sërish Bakajn. Dopietë personale e Xhixhës, që mbyll llogaritë e derbit.

56′ – Gooool. Redon Xhixha dyfishon avantazhin e Tuiranës. Sulmuesi përfiton nga një mosmarrëveshje e mbrojtësve të Dinamos dhe gjuan menjëherë, duke dërguar topin në rrjetë. Ka festë bardheblu në “Air Albania”…

53′ – Ibraimi ekzekuton bukur një goditje dënimi, por topi grushtohet nga portieri Visar Bekaj, që ruan të paprekur portën

52′ – Hoxhallari ndal me faull sulmuesin Chinedu dhe nuk i shpëton kartonit të verdhë…

46′ – Starton pjesa e dytë, Dinamo në kërkim të përmbysjes…

45’+1 – Vërshëllen Kreshnik Cjapi dhe sinjalizon fundin e pjesës së parë

45′ – Goooool! Zhbllokohet derbi i kryeqytetit dhe është Sidibe ai që shënon në portën e tij. Seferi niset në limitet e pozicionit jashtë loje dhe kalon portierin Bakaj, ndërsa Sidibe provon t’i heqë topin nga këmbët, por e dërgon në rrjetën e portës së tij.

41′ – Limaj lëshon një silurë nga distanca dhe vë në vështirësi portierin Bakaj, i cili grushton në goditje nga këndi…

38′ – Ndalet loja për t’i dhënë ndihmën mjekësore sulmuesit dinamovit Chinedu, i cili mori një goditje me top në fytyrë…

32′ – Kombinim i bukur i Totre me Xhixhën, që lirohet mbi vijën e zonës dhe gjuan, por topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e Bakajt…

28′ – Kundërsulm i bardhebluve me Seferin, por Imami e ndal me faull dhe ndëshkohet me karton të verdhë…

28′ – Krosim i rrezikshëm i dinamos, por Bekaj zgjatet dhe grushton topin, duke i hequr një mundësi të mirë shënimi sulmuesit Chinedu…

27′ – Chinedu lirohet mirë dhe provon nga distanca, por topi devijohet dhe përfundon në këndore për Dinamon…

20′ – Tjetër mundësi e mirë e bardhebluve, këtë herë me Gjumsin, që mbyllet në momentin e fundit dhe ka vetëm këndore.

12′ – Rasti i parë i rrezikshëm i takon Tiranës, me Seferin që hyn në zonë, i vetëm me portierin Bakaj, por ky i fundit i bllokon mirë goditjen.

– Starton derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo…

Formacionet zyrtare:
Tirana (4-3-3): Bekaj; Toshevski, Behiratce, Hoxhallari, Ismailgeci; Totre, Limaj, Najdovski; Gjumsi, Xhixha, Seferi
Dinamo (4-2-3-1): Bakaj; Siljanovski, Sidibe, Imami, Isaevski; Samake, Demiri; Skuka, Ibraimi, Mihana; Chinedu

– Mbrojtësi Sofranac dhe portieri Harizaj, janë mungesat e mëdha të Dinamos, ndërsa Tirana vjen në këtë takim pa titullarët Toli e Ngo’o.

– Dy skuadrat e kryeqytetit janë përballur të mërkurën në Kupë, ku fitoi Dinamo 2-0, ndërsa deri në fund të sezonit do të ndeshen plot 6 herë. Kjo është ndeshja e dytë, ndërsa po në muajin nëntor, do të përballen sërish, këtë herë në sfidën e kthimit në Kupë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency