VIDEO/ Zgjerohet gjeografia e golave të futbollistëve shqiptarë në ligat europiane, vëmendja te një 20-vjeçar
Të shumtë janë futbollistët shqiptarë të cilët po fitojnë vëmendje në kampionatet kryesore të Europës, duke u shndërruar protagonistë me golat apo edhe me shfaqjen e bukur që ofrojnë në fushë.
Së fundmi, radha i ka takuar një tjetër talenti kuqezi dhe që aktivizohet në Andorrë me kampionët e Inter Escaldes. Fjala është për Besjan Bernacën i cili po kërkon pak nga pak të bëhet pjesë e skenave më të rëndësishme në Europë. I dalë nga shkolla e Internacional Tirana për të vazhduar më pas aventurën me ekipin e moshave të Lokomotivës së Zagrebit U19, 20-vjeçari tashmë po kërkon të bëhet i famshëm me kampionët e Andorrës.
Mesfushori ishte protagonist në ndeshjen e fundit të Inter Escaldes në kampionat ku shënoi golin e katërt në triumfin 4-1 të tijve ndaj Engordany. Ky ishte edhe goli i parë që Bernaca shënon për Inter Escaldes në 11 paraqitje me këtë skuadër ndërsa në llogarinë e tij ka edhe një asist. Inter Escalde udhëheq kampionatin e Andorrës me 38 pikë, ndërsa nëse vazhdon me këtë ritëm atëherë Bernacën e pret një e ardhmen e ndritur, pse jo në kampionatet elitare të Europës.



