Vieira në telashe, Crystal Palace me vetëm 10 futbollistë nga skuadra e parë në turin veror
Crystal Palace ka nisur turin veror në Australi e Singapor, teksa me trajnerin Patrick Vieira kanë udhëtuar vetëm 10 futbollistë të skuadrës së parë dhe pjesa tjetër është plotësuar me lojtarë nga ekipi i të rinjve.
Shkak duket se është bërë ndalimi i udhëtimit në Australi e Singapor për njerëzit që nuk kanë kryer procesin e plotë të vaksinimit, megjithatë klubi i Premier League nuk ka preferuar të japë detaje.
“Një pjesë e futbollistëve të skuadrës së parë nuk kanë formën e duhur, ndaj janë lënë në Londër për të rikuperuar, ndërsa të tjerë nuk plotësojnë kriteret hyrëse”, thuhet në komunikatën e klubit, që nuk preferon të tregojë se cilët lojtarë nuk janë vaksinuar ende.
Megjithatë trajneri Vieira do të duhet të bëjë pa emra si Wilfried Zaha, Eberechi Eze, Marc Guehi, Michael Olise, Christian Benteke, James McArthur, etj.



