Villareali, qyteti më i vogël që triumfon në Europë
“Nëndetësja e verdhë” fundosi “djajtë e kuq”, në finalen e Europa League-s duke kurorëzuar në këtë mënyrë klubin e Villarreal-it me të parin trofe të rëndësishëm në Kupat e Evropës. Klubi i vogël spanjoll që më parë krenohej thjesht me dy Kupa Intertoto të fituara radhazi në vitet 2003 e 2004 zbriti me këmbë në tokë “red devils”, duke shkaktuar një ndër befasitë më të mëdha në historinë e aktiviteteve evropiane për klubet. Mbrëmjen e së mërkurës tifozët e pranishëm të Villarreal-it në Stadiumin Miejski të Gdanskut u panë duke shpalosur gjatë gjithë kohës me krenari shallet e tyre, ku në spanjisht ishte shkruar “es nuestro momento”, pra “ky është momenti ynë” dhe poshtë ishte shënuar edhe data e 26 majit të vitit 2021.
Gjithçka rezultoi e vërtetë dhe pikërisht një ditë e tillë u fut thellë në historinë e skuadrës, që përfaqëson padyshim edhe klubin e qytetit më të vogël të Kontinentit të Vjetër, që ka fituar ndonjëherë në kompeticionet e Kupave të Evropës. Villarreali është një qytet i vogël në lindje të vendit, në Provincën e Kasteljonit, në Komunitetin Valencian, me vetëm 50.000 banorë, që i luan ndeshjet në “Estadio de la Ceramica”, me kapacitet prej 23.500 spektatorësh. Në historinë 98-vjeçare arritja më e madhe e këtij klubi konsiderohej vendi i dytë i regjistruar në sezonin 2007-08, kur nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur kilian Manuel Pellegrini “nëndetësja e verdhë” u kurorëzua si nënkampione e Spanjës në Primera Division, me 8 pikë më pak se sa Reali, por duke lënë poshtë me radhë skuadrat e Barcelonës, Atletikos dhe Seviljes.
Mbrëmjen e 26 majit të vitit 2021 e udhëhequr nga Unai Emery skuadra e Villarreal-it ia doli mbanë për të mposhtur pas gjuajtjes së 11-metërshave pikërisht Manchester United, duke triumfuar që në të parën finale të madhe të klubit në Kupat e Evropës. Në Poloni United luante finalen e 15 në Kupat e Evropës, ndërsa “nëndetësja e verdhë” konsiderohej nga shumë vetë si e pashpresë, për shkak të diferencave të mëdha në cilësinë dhe emrat e futbollistëve. Ole Gunnar Solskjaer nuk kishte në dispozicion kapitenin Harry Maguire dhe sulmuesin Anthony Martial, ndërsa në krahun tjetër trajneri bask vuajti mungesën e nigerianit Samuel Chukëueze.
Eksperienca e Villarreal-it përmblidhej në ato tre gjysmëfinale të humbura në Kupën UEFA apo Europa League me kundërshtarë si Valencia, Porto dhe Liverpool përkatësisht në vitet 2004, 2011 e 2016, si dhe në gjysmëfinalen e Champions-it në vitin 2006 nga Arsenali, megjithatë në finalen e Gdanskut në takimin më të rëndësishëm në historinë e klubit “nëndetësja e verdhë” tregoi goxha karakter dhe u soll në mënyrën e duhur. Fillimi i ndeshjes ishte i gjithi për “djajtë e kuq”, që dominuan duke e shtrënguar Villarreal-in që të tërhiqej në 25 – 30 metrat e fundit të fushës. 48-vjeçari norvegjez kishte udhëzuar dy mbrojtësit e krahut, Luke Shaw dhe Aaron Wan – Bissaka për të bërë përpara dhe depërtuar në thellësi, për të kërkuar hapësirat e nevojshme për të krosuar në zonë, megjithatë Villarreali u mbrojt me thjeshtësi dhe në bllok, pa rrezikuar asgjë.
Plani i shkëlqyer i trajnerit bask funksionoi në perfeksion dhe në të parën mundësi që iu paraqit ekipi spanjoll ndëshkoi mbrojtjen e brishtë të United. Pa u mbushur as gjysmë ore lojë skuadra e drejtuar nga trajneri Unai Emery fitoi një goditje dënimi në krahun e majtë të sulmit, situatë standarde që prishi më në fund edhe ekuilibrin ndërmjet këtyre dy klubeve. Në katër sfidat e mëparshme në fazën e grupeve në Champions League ndërmjet Manuel Pellegrini-t dhe skocezit të famshëm Alex Ferguson dy skuadrat patën barazuar pa gola, respektivisht në vitet 2005 e 2008, ndërsa këtë radhë futbollisti më i mirë i “të verdhëve”, me 6 gola dhe 5 asist, pikërisht sulmuesi 29-vjeçar katalanas Gerard Moreno i shpëtoi më së miri mbulimit të mbrojtjes kundërshtare për të shfrytëzuar në maksimum harkimin perfekt të Dani Parejo-s.
Reagimi i United ishte shumë i dobët dhe u desh pushimi ndërmjet pjesëve që ekipi të qetësohej dhe të merrte veten nga goli i pësuar. Fraksioni i dytë i lojës foli për “red devils”, që dominuan në zotërimin e topit, por gjithsesi skuadra e Solskajer-it barazoi me shumë fat, pas një topi të mbetur në zonë, pikërisht në këmbët e gjahtarit të pamëshirshëm uruguaian Edinson Cavani, që nuk e pati aspak të vështirë për të shtyrë sferën në portën pothuajse të zbrazur. Pjesa e mbetur nuk ofroi më asgjë dhe dy skuadrat u munduan më shumë për të kundërshtuar njëra – tjetrën, duke u përpjekur për të mos pësuar.
Me 3 trofe të fituar radhazi nga 2014 – 2016 Unai Emery kishte barazuar të madhin Giovanni Trapattoni si trajneri i dytë më i suksesshëm i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, sidoqoftë përvoja e tij ishte thelbësore në këtë finale dhe 49-vjeçari bask i transmetoi ekipit grintën dhe karakterin e tij të fortë, për të tjerat sigurisht menduan futbollistët e përzgjedhur në fushën e lojës. Falë eksperiëncës së tij të jashtëzakonshme, duke nuhatur edhe lodhjen e skuadrës Unai Emery i konsumoi që të pesë zëvendësimet në gjysmë orën e fundit të kohës së rregullt, duke eklipsuar United dhe shtyrë pa probleme takimin për në kohën shtesë.
Në “overtime” Villareali ishte qartësisht ekipi më i mirë si dhe formacioni që u impenjua më shumë për të shënuar, ndërsa në krahun tjetër Ole Gunnar Solskjaer tregoi qartë limitet, teksa ndërrimin e parë e kreu pas 100’ lojë, për më tepër duke zëvendësuar një nga më të mirët e skuadrës së tij Mason Greenwood, pra një sulmues me një mesfushor me tipare mbrojtëse, siç është braziliani Fred. Gjithë zëvendësimet e tjera trajneri nordik i kreu pas 115’, duke u përqendruar vetëm te 11-metërshat, teksa hodhi në fushë dy specialistë si Juan Manuel Mata dhe Alex Telles. Pas ndeshjes ish-shokët e tij të ekipit te Manchester United i famshëm u munduan ta mbrojnë Solskjaer-in duke shpjeguar nëpër televizione të ndryshme se 48-vjeçari nuk kishte alternativa të tjera, por për hir të së vërtetës treçereku i lojtarëve të stolit, pra plot 9 futbollistë nga 12 janë blerë nga drejtuesit e United pas kërkesave të vazhdueshme të teknikut nordik, ose kanë qëndruar në klub pas këmbënguljes së tij të gjatë.
Pas ndeshjes Solskjaer deklaroi se mendoi seriozisht për ta zëvendësuar portierin spanjoll David De Gea për t’i besuar mes shtyllave gjatë ekzekutimit të penalltive 24-vjeçarit Dean Henderson. 11-metërshin e fundit David De Gea e kishte grushtuar në vitin 2016 dhe në pesë vitet që pasuan 30-vjeçari madrilen nuk kishte pritur asnjë nga 21 penalltitë e akorduara kundër “djajve të kuq”, sidoqoftë portieri më i paguar në planet, për nga rroga vjetore, dështoi për të ndalur edhe 11 penalltitë e Villarreal-it, madje sikur të mos mjaftonte kjo De Gea humbi edhe 11-metërshin përcaktues që i dhuroi trofeun Villareal-it.
Falë këtij suksesi “nëndetësja e verdhë” fitoi të drejtën për të luajtur sezonin e ardhshëm në Champions, kur dihet që nga kampionati Villareali nuk shkoi dot përtej vendit të shtatë në Primera Division, që i mundësonte pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Një sukses plotësisht i merituar për këtë klub si dhe për vetë Unai Emery-n, që u bë trajneri më i suksesshëm i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, ndërkohë trajneri bask u barazua me emra shumë të mëdhenj si Nereo Rocco, Alex Ferguson dhe Jose Mourinho, me nga 4 trofe gjithsej, duke patur përpara tashmë vetëm të madhin Giovanni Trapattoni, që numëron 5 tituj në total në Kupat e Evropës.
Një disfatë që erdhi si një grusht i fortë për trajnerin e mbivlerësuar norvegjez, që kishte humbur katër gjysmëfinale përpara këtij takimi, tre prej të cilave vetëm sezonin e kaluar, në Kupën e Ligës, FA Cup si dhe Europa League. Villareali ishte klubi i 11 spanjoll që pati privilegjin për të luajtur një finale në Kupat e Evropës dhe “nëndetësja e verdhë” u kurorëzua në këtë mënyrë pa provuar shijen e humbjes, me plot 12 fitore në 15 takime. Që nga suksesi i Valencias në vitin 2004 nën drejtimin e Rafa Benitez-it kjo është kupa e 11 për Spanjën në 18 edicionet e fundit të aktivitetit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.
Villarreali e siguroi një sukses të tillë në një datë të shënuar për United, siç është 26 maji, pasi 22 vjet më parë në Barcelonë pikërisht në një datë të tillë falë dy golave të realizuar në kohën shtesë “djajtë e kuq” ia dolën për të përmbysur Bayernin e Mynihut, madje golin deciziv asokohe e shënoi vetë Ole Gunnar Solskjaer.
Në mbyllje mund të thuhet me plot gojën se Europa League është shndërruar padyshim në një kompeticion anglo – spanjoll, duke patur parasysh që përgjatë dekadës së fundit kanë fituar vetëm këto dy vende: 7 herë klubet spanjolle dhe 3 herë skuadrat angleze, gjithsesi tani bilanci i përgjithshëm përkeqësohet akoma më shumë dhe ekipet nga futbolli anglez e çojnë në plot 10 numrin e finaleve të humbura radhazi, në përballjet me skuadrat spanjolle në finalet e Kupave të Evropës.



