La Liga

Vinicius dhe Diaz ngrenë peshë “Bernabeun”, Barcelona dorëzon kreun

Real Madridi fiton El Clasicon numër 180 dhe i merr kreun Barcelonës me një pikë më shumë. “Los Blancos” triumfuan 2-0 në “Santiago Bernaneu”, ku përgjithësisht pjesa e parë u dominua nga katalanët, ndërsa në fraksionin e dytë skuadra e Zidane u shfaq më e freskët fizikisht, për ta goditur kundërshtarin në pikat më të dobëta.

Kjo përballje nisi më mirë për Barcelonën, që dominoi në kontrollin e topit dhe në raste, ndërsa Reali shfaqej rrezikshëm nëpërmjet kundërsulmueve në krahun e djathtë, ku Vinicius mbështej nga Marcelon.

Rastin e parë të pastër e pati Griezmann, që goditi mbi tra, ndërsa në minuën e 32-të Arthur Melos ia mohoi golin portieri Courtois, që devijoi në fundore. Nuk ishte në ditën e tij më të mirë Lionel Messi, që pak çaste më vonë tentoi portën, por finalizimi i tij ishte qendror.

Në pjesën e dytë lojën e mori në kontroll Reali, që iu afrua fillimisht golit me Iscon, goditjen e të cilit e devijoi mrekullisht ter Stegen. Mesfushori i “Los Blancos” iu pati një shans të artë në të 66-tën, por topi i goditur prej tij me kokë u largua mbi vijnë fatale nga Pique.

Në të 69-ën Setien kreu zëvendësimin e parë, duke hedhur në fushë Braithwaite në vend të Vidal, por duket se kjo lëvizje ndikoi negativisht, pasi vetëm një minutë më vonë, pas një aksioni në krahun e djathtë, Vinicius, i ndihmuar edhe nga devijimi i Piquesë, zhbllokoi rezultatin, 1-0.

Barcelona ishte e detyruar të ushtronte më shumë presion në sulm, por la hapësira prapa dhe në minutën e dytë shtesë, Mariano Diaz, i sapohedhur në fushë nga Zidane, realizoi golin që mbylli takimin me rezultatin 2-0.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency