Vit i ri, avaz i vjetër, sërish mesatare e lartë golash
Pavarësisht shkëputjes prej 34 ditësh të kampionatit shqiptar, asgjë nuk ndryshoi sa i përket ritmit të golave dhe surprizave në fushë. 2017-a u mbyll me 18 gola të shënuar në javën e 16, ndërkohë që 2018-a nis me një ritëm të lartë, 15 gola të shënuar në javën e 17, me një mesatare 3 gola për ndeshje.
Në fakt në 3 javët e fundit të Superiores shihet një trend në rritje sa i përket shënimit të golave, pasi edhe java e 15 regjistroi 18 realizime, duke evidentuar se tashmë frika e fillim sezonit për të humbur ndeshjen ka kaluar dhe në çdo sfidë mendimi i parë shkon për ta fituar atë.
Në mbylljen e vitit të kaluar u krijua ideja e një lloj shthurjeje edhe për vetë faktin që skuadrat dëshironin të merrnin maksimumin përpara riparimeve por kjo javë na vërtetoi se në Shqipëri luhet futboll sulmues me dëshirën për të fituar çdo takim.
Për ironi të fatit këtë javë edhe skuadra e vendit të fundit Lushnja që kishte dhe ka sulmin më të dobët arriti të realizojë dy herë në portën e Teutës, një tregues se diferencat janë të vogla.
I vetmi barazim i javës u regjistrua pikërisht në këtë përballje direkte për mbijetesë, ndërkohë që është respektuar faktori fushë, pasi kemi 3 suksese të vendasve ndaj një të miqve në këtë javë të parë për vitin kalendarik.
Goli i kroatit Tomislav Bushiç nga pika e penalltisë në sekondat e fundit të shtesës është i 200 në kampionat, një shifër e mirë pas 17 javësh. Në 85 ndeshjet e luajtura mesatarja e golave për ndeshje është 2.35, një ecuri që ka ardhur në rritje pikërisht javët e fundit.



