Vizita në grumbullimin e Kombëtares, FSHF mbështet ekipin e femrave të Preshevës
Festa e Flamurit ka rezervuar një surprizë shumë të bukur për ekipin Kombëtar të vajzave që u vizitua nga klubi futbollit të femrave të Preshevës. Në grumbullimin që Kombëtarja po zhvillon në prag të ndeshjes me Kosovën, kapitenia Megi Doçi dhe sulmuesja nga Lugina e Preshevës, Mimoza Hamidi, zhvilluan një takim të përzemërt me vajzat e ekipit të Preshevës që ndodheshin në Durrës në kuadër të disa ndeshjeve miqësore.
Në këtë vizitë u konkretizua bashkëpunimi dhe mbështetja e FSHF-së për KFF Presheva, të cilëve ju është ofruar bazë materiale për zhvillimin e seancave stërvitore dhe përfaqësimin në ndeshje. Në ceremoninë simbolike të dorëzimit të bazës materiale, sulmuesja e Kombëtares, Mimoza Hamidi u shpreh e kënaqur për këtë vizitë dhe u uroi sa më shumë suksese vajzave të Luginës së Preshevës.
“Jam shumë e kënaqur që sot në Ditën e Flamurit na kanë nderuar me vizitën e tyre vajzat e Preshevës. I uroj vajzave shumë suksese dhe mos të dorëzohen në ëndrrat e tyre. I dëshiroj shumë suksese në të ardhmen”, – tha Hamidi për Fshf.org, ndërsa kapitenia Megi Doçi, pasi uroi shqiptarët për festat e nëntorit, u bëri thirrje vajzave që të mos dorëzohen dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
“Dëshiroj t’i uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar Festën e Pavarësisë. Është kënaqësi që një ekip i ri vajzash është krijuar dhe sidomos në Preshevë. Duhet të jetë diçka e vështirë, është diçka shumë e mirë për këto vajza që të mos dorëzohen kurrë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Do t’u uroja shumë sukseseve vajzave dhe stafit gjithashtu, për një punë të mirë që janë duke kryer. Është diçka e mirë për këto vajza që i jepet kjo mundësi, sepse edhe unë në fillimet e mija nuk e kam pasur këtë mundësi. Ka qenë shumë e vështirë. Është shumë pozitive që në një qytet zhvillohet futbolli femrave dhe ka një ekip femrash. I uroj suksese vajzave dhe stafit drejtues”, tha Megi Doçi.



